Veseli: Tri ditë nga ndajnë nga fitorja e madhe e PDK-së në Llap dhe gjithë Kosovën

Aktuale

Veseli: Tri ditë nga ndajnë nga fitorja e madhe e PDK-së në Llap dhe gjithë Kosovën

Më: 3 tetor 2019 Në ora: 15:43
Kadri Veseli
( E plotësuar) - Kandidati nga PDK-ja për kryeministër të Kosovës, Kadri Veseli në tubimin e sotëm me qytetarë të Podujevës, theksoi se vetëm edhe tri ditë i ndan nga një moment vendimtar dhe ditë e madhe e fitores së PDK-së në Llap dhe gjithë Kosovën.

Veseli theksoi se orientimi i tij është në drejtim të fuqizimit të shtetit të pavarur dhe sovran, si dhe mbështetje për rininë, fermerët, ndërmarrësit, ku nuk do të ketë tatime të reja, përveç ulje të taksave.

Ai tha se ka për qëllim që përmes fuqizimit të ekonomisë, ta fuqizojnë  shtetin e pavarur dhe sovran.

Po ashtu Veseli premtoi mbështetje për kategoritë e dala të luftës dhe rritje të pensioneve 80 përqind.

Për këtë platformë, Veseli kërkoi nga llapjanët që më 6 tetor ta votojnë PDK-në dhe ta fuqizojnë Kosovën dhe perspektivën e tyre.

Veseli: Orientimi ynë është fuqizimit të shtetit tonë

“Orientimi ynë do të jetë në drejtim të fuqizimit të shtetit tonë të pavarur dhe sovran. Qëllimi im si kryeministër ka vetëm një qëllim.  T’i përkrahim rininë, sektorin e teknologjisë së re, të gjithë fermerët, do të përkrah ndërmarrësit dhe nuk do të ketë asnjë tatim për ta. Po ashtu ndërtimet pa leje do të legalizohen. Pra, qëllimi është që përmes fuqizimit të ekonomisë forcojmë shtetin tonë të pavarur dhe sovran”, tha  Veseli.

Kandidati për deputet nga dega e PDK-së  në Podujevë  Rrustem Mustafa,  është i bindur për fitoren e PDK-së në këto zgjedhje, sepse sipas tij, kjo parti ka platformën për luftimin e korrupsionit dhe ruajtjen e miqësisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ish-komandanti i UÇK-së për zonën e Llapit, tha se vetëm me Kadri Veselin kryeministër mund të ketë zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët e vendit.

Mustafa: UÇK ka vulos miqësinë me ShBA-të

“Ushtria  Çlirimtarë e Kosovës  fund shekullin e kaluar ka vulosur miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe besoni se këto marrëdhënie do t’i vazhdojë Kadri Veseli kryeministër i Republikës së Kosovës. Kryeministër është i vetmi që mund t’i fillojë këto prioritete për mirëqenie në gjithë Republikën e Kosovës”, tha Mustafa.

Kryetari i degës së PDK në Podujevë, Naim Fetahu tha se fitorja e PDK është e rëndësishme, sepse askush nuk di më mirë t’iu prijë proceseve nëpër të cilat kalon Kosova,  se sa Kadri Veseli kryeministër.

Fetahu: Askush nuk di më mirë se Veseli t’iu prijë proceseve në shtet ndërtim

“Kjo fitore është e rëndësishme, sepse askush nuk di më mirë t’iu prijë proceseve që kalon Kosova se sa kryeministri i Republikës së Kosovës, Kadri Veseli”, tha Fetahu.

Kandidatët për deputet nga radhët e PDK-së nga komuna e Podujevës  janë Rrustem Mustafa, Fahri Osmani, Floretë Zejnullahu, Shqiptar Demaçi, Ismet Abdullahu, Nexhmi Muçiqi dhe Naim Fetahu.

***

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat