Arrestohet personi që dëmtonte billbordet e VV-së në Deçan

Aktuale

Arrestohet personi që dëmtonte billbordet e VV-së në Deçan

Më: 3 tetor 2019 Në ora: 15:50
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në Deçan, pas ankesave të një subjekti politik për dëmtimin e disa billbordeve, të cilat kishin qenë të vendosura në një objekt privat. Bëhet fjalë për një 19-vjeçar me inicialet A.T.

Rastin e ka konfirmuar Policia Rajonale e Pejës përmes një komunikate drejtuar mediave.

“Policia e Kosovës dhe Stacioni Policor në Deçan në koordinim të plotë me prokurorin e Prokurorisë Themelore në Pejë, pas një pune intensive operativo-hetimore me datën 02.10.2019 kanë identifikuar dhe kanë arrestuar të dyshuarin A. T., i lindur me 2000 m/k/sh”, thuhet në komunikatë.

Policia bën të ditur se ndaj të dyshuarit të lartcekur me datën 03.10.2019 është parashtruar kallëzim penal për veprën ‘asgjësim apo dëmtim i pasurisë së luajtshme’, dhe se rasti është duke u hetuar nën drejtimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ishte ankuar se pesë herë në Deçan persona të panjohur kanë dëmtuar banerët elektoral të cilët paraqisnin liderin e partisë, Albin Kurti.

 “Ky veprim i shëmtuar tregon frikën e cila i ka kapur bandat partiake që e kanë vjedhur Kosovën për 20 vite me radhë. Me pushtetin e tyre po largohet rinia, por me pushtetin e Vetëvendosjes do të largohet mafia”, thuhej në reagimin e tyre në Facebook.

Të njëjtit kishin thënë se do të vazhdojnë t’i vendosin përsëri banerët, pasi që sipas tyre, nuk do të bien pre e provokimeve të subjekteve të PAN-it.

“Ne do të vazhdojmë t’i vendosim banerët tanë, sipas ligjit, kudo. Subjektet e PAN-it, në panik sepse janë jashtë gare, po kërkojnë vazhdimisht të na provokojnë. Por ne nuk do të biem pre e provokimeve të tyre. Aktivistët tanë në Deçan, e në krejt Kosovën, kanë qenë në gjendje të ballafaqohen me guxim maksimal, dhe gjithnjë të fitojnë, përballë pushtetarëve abuzivë nga të gjitha partitë”, thuhej në reagim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat