BE financon të rinjtë e Kosovës për të studiuar jashtë vendit

Aktuale

BE financon të rinjtë e Kosovës për të studiuar jashtë vendit

Më: 3 tetor 2019 Në ora: 18:21
Pamje nga takimi

Të diplomuarit e skemës Young Cell-programi i BE-së që financon të rinjtë e Kosovës për të studiuar në Bashkimin Evropian, sot kanë ndarë përvojat e tyre personale gjatë studimeve dhe periudhës së aplikimit për bursa, të cilat kanë për qëllim ndryshimin e administratës publike dhe reformat e sundimit të ligjit.

E pranishme në këtë debat ishte edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, e cila tha se kjo se është një mundësi e mirë e avancimit të të rinjve.

Apostolova:  Kjo është një dorë e zgjatur e bashkësisë evropiane 

“Meqë jam nga rajoni, jam nga Bullgaria edhe unë para disa vitesh gjithashtu kam përfituar nga një bursë program i tillë, ku kam pas rastin e mirë që të shkoj në Zvicër, Londër dhe të vizitoj shumë vende, dhe ja ku jam tani. Rrugën e keni përpara, po të mos kisha këtë mundësi, mund të them që është një shans shumë i mirë, sepse të gjithë e dini sa kushton një vit i studimeve për të gjithë ju në Londër apo Berlin, apo kudo që jeni. Kjo është një dorë e zgjatur e bashkësisë evropiane”, tha ajo.

Krahas kësaj, Apostolova tha se procesi i përzgjedhjes së aplikantëve është shumë transparent, dhe nuk bëhet nga institucionet kosovare.

Apostolova: Përzgjedhja e juaj nuk bëhet nga Kosova, falë Zotit

“Procedurat e përzgjedhjes janë tejet transparente, dhe nuk bëhet nga institucioni i juaj, dhe mund të them falë Zotit, jo vetëm për Kosovën, por kudo në botë. Ne sjellim njerëz që janë ekspert, profesionistë të vërtetë. Njerëz që bëjnë përzgjedhjen, të gjithë e dinë se si janë kriteret, dhe jam shumë e lumtur. Dëshirojmë që të depërtojmë te secili, te çdo shtresë e shoqërisë, njerëzit e hendikepuar, që të ofrojmë mundësi, njerëz të minoriteteve, që nuk janë të barabartë si vëllezërit e motrat”, tha Apostolova.

Kjo skemë tha se është instrumenti më i mirë për të ndryshuar administratën publike në Kosovë, për çka sipas saj BE mbështetjen më të madhe e ka në sundimin e ligjit, e reformat e drejtësisë.

Leonita Shabani, e cila është përfituese e kësaj burse, tha se ka qenë periudhë e vështirë, megjithatë sipas saj kjo ishte mundësi e re, e cila i ka ndihmuar në avancimin akademik.

Shabani: Procesi ka qenë jashtëzakonisht transparent

“Qëllimi ka qenë që të analizojë një mundësi të re, për të aplikuar diku për një bursë, e cila do të më mundësojë avancimin tim akademik jashtë vendit. Thjesht, më ka munguar për të qenë studente e Bashkimit Evropian. Kam dashur që të kem perspektivën e të qenit studente e BE-së, dhe këtu ka filluar ideja për aplikim të skemës së profesionistëve të rinj... Procesi ka qenë jashtëzakonisht i rregullt, transparent dhe kryekëput i bazuar në merita individuale, të cilat i kemi treguar  gjatë këtij procesi selektues. Dhe thjesht ka qenë shumë konkurrues, unë e kam fituar bursën dhe kam vazhduar studimet në Berlin”, shtoi ajo.

Ajo u ka bërë thirrje të gjitha femrave, grave, që të definojnë qartë ëndrrën e tyre, sepse sipas saj, gratë nuk e kanë përkrahjen e duhur për të bërë një gjë të tillë.

Edhe Adil Bytyqi përfitues i kësaj burse tha se synimi i tij ka qenë që së paku masterin ta përfundojë në shtetet e BE-së.

Bytyqi: Kam përfituar nga dy projekte të BE-së

“Jam shumë i lumtur që kam përfituar nga dy projekte të BE-së, njërit prej programeve Erasmus, dhe një bursë, e cila është vetëm për Kosovën. Pas kthimit nga Holanda jam punësuar në Ministrinë e e Tregtisë dhe Industrisë, për shkak se studimet e mia ishin për tregti dhe pronësi intelektuale. Dhe studimet e mia kanë pasur impakt të madh në zhvillimin tim profesional...Gjatë kohës sa kam qëndruar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë kam punuar në pronësi intelektuale, në mbështetje të bizneseve, pastaj kam qenë përfaqësues i Kosovës në negociata për tregtisë në shërbimin e CEFTA-s”, ka thënë ai.

Bytyqi  ka inkurajuar studentët e rinj që të mësojnë gjuhët e huaja, në mënyrë që të përgatiten për aplikim në skemën “Young Cell”.

Egzon Osmanaj, po ashtu përfitues i kësaj burse, tha se ka përfunduar masterin në Britani të Madhe, dhe se studentët kosovarë ne të gjitha drejtimet, pothuajse kanë qenë studentët më të mirë.

Krahas kësaj, Osmanaj në këtë debat tha se pas kthimit nga aty, ka vënë në funksion përvojën, duke punuar në Ministrinë e Drejtësisë, dhe praktika të tjera në Kuvend të Kosovës, për tema të dialogut. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat