Shala: Shkëmbimi i territoreve zhbërje e shtetit - qëllim final jo Kosova, por Bosnja

Aktuale

Shala: Shkëmbimi i territoreve zhbërje e shtetit - qëllim final jo Kosova, por Bosnja

Më: 4 tetor 2019 Në ora: 00:51
Kujtim Shala

Kujtim Shala nga LDK-ja ka thënë se Serbia e ka problem raportin me shtetin e Kosovës, dhe jo raportin me shqiptarët.

“Nëse lexojmë saktë në pretendimin që Serbia të fitojë diçka, çfarëdo qoftë, është pretendimi për zhbërjen e shtetit të Kosovës”.

“Serbia s’e ka problem themelor raportin me shqiptarët, e ka problem themelor politik dhe më të thellë psikologjik raportin me shtetin e Kosovës”.

“Ky është problemi dhe kjo është pengesa që e krijon ngërçin dhe që ne nuk mund të ecim më tutje në rrafshin politik, sidomos në rastet kur e kemi pranuar që po flasim për çështje të pastra politike”.

Ai në Zonën Zgjedhore ka thënë se qëndrimet e Bashkësisë Ndërkombëtare nuk kanë qenë unike viteve të fundit.

“Duhet ta rikujtoj se edhe SHBA-të fillimisht thoshin se do të pranonin çfarëdo marrëveshje mes palëve, ndërkaq gjatë vitit të fundit ky qëndrim është tjetër – që nuk do të pranohet çfarëdo marrëveshje që do të mund të arrinin palët”.

“Pse? Sepse do të jetë edhe çështje e trajtimit ndërkombëtar. Duket që dallimi është vetëm në nuanca, por ky është dallim thelbësor”.

Shala ka folur edhe për atë se çfarë mund të ndodhë nëse një shkëmbim i mundshëm i territoreve ndodh mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, qëllimi final i kësaj ideje të përfolur nuk është Kosova, por Bosnja dhe Hercegovina.

“Çfarë do të ndodhte nëse ne i hyjmë shkëmbimit të territoreve? Ky do të ishte procesi i zhbërjes së shtetit tonë dhe ky proces nuk do të ndalej këtu sepse mendoj se qëllimi nuk është Kosova, por qëllimi final është Bosnja dhe Hercegovina”.

“Po mërzitem për Serbinë e Madhe. Një Kosovë që shkëmben territore është një copë territori me shqiptarë, jo me të gjithë shqiptarët, që s’mund të ketë të ardhme”.

Ai ka thënë se çështjet e shkëmbimit të territoreve dhe Asociacionit nuk janë ekuivalente dhe nuk janë dy zgjidhje për problemet me Serbinë.

Shala ka thënë se nuk mund të krijohet Asociacioni me kompetenca ekzekutive, por as Asociacioni si është paraparë në marrëveshjen e vitit 2013.

“Asociacioni, çfarë thonë drejtuesit politikë të Kosovës, me kompetenca ekzekutive nuk mund të themelohet – nuk lejohet. Asociacioni, siç është projektuar në marrëveshjen e vitit 2013, nuk mund të themelohet sepse bie ndesh me kapitullin për të drejtat e njeriut të cilat s’mund të preken dhe s’mund të jenë as objekt i referendumit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat