Mustafa: Shtetin nuk do ta forcojmë as me taksa as me tarifa

Aktuale

Mustafa: Shtetin nuk do ta forcojmë as me taksa as me tarifa

Më: 4 tetor 2019 Në ora: 19:26
Pamje nga tubimi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se LDK në qeveri nuk do ta forcojë shtetin me taksë, por me hapje e bashkëpunim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Në tubimin e mbylljes së fushatës zgjedhore, Isa Mustafa tha se LDK do të luftojë krimin e korrupsionin me njerëzit në Kosovë e jo me ata nga jashtë të cilët në vendet e tyre ndiqen nga organet e drejtësisë për krim e korrupsion.

Isa Mustafa tha se shteti nuk forcohet përmes izolimit. Sipas tij, LDK nuk merr vendime të mëdha por vendime të ligjshme.

Mustafa: LDK nuk do ta forcojë shtetin me taksë

“Në emër të juaj u drejtohet qytetarëve të Republikës dhe i garantoj që LDK do të luftojë për forcimin e shtetit dhe ne shtetin nuk do ta forcojmë përmes barrikadimit, as me taksë as me tarifë, por shteti ndo ta forcojmë përmes hapjes sonë ndaj BE-së dhe hapjes dhe bashkëpunimit tonë me shtetet e bashkuara, përmes angazhimit tonë të bëhemi pjesë e BE-së, të bëhemi anëtarë e NATO-së, të bëhemi pjesë aktive e institucioneve financiare, ndërkombëtare dhe shfrytëzimit të tyre për të mirën e Kosovës, de jo të izolohemi sepse përmes izolimit nuk e forcojmë por e dobësojmë shtetin tonë”, tha Mustafa.

Në Gjilan, kreu i LDK-së premtoi se do të punojnë për luftimin e korrupsionit e krimit në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare por me besim në policët, gjyqtarët e prokurorët vendorë.

Mustafa: Nuk do ta luftojmë korrupsionin me njerëz nga jashtë

“Nuk do ta luftojmë krimin e korrupsionin me njerëz nga jashtë të cilët në vendet e tyre ndiqen për krim e korrupsion e evazion fiskal, njerëzit e tillë nuk i ndihmojnë Kosovës, ata e zhvatin Kosovën, ne do ta luftojmë këtë të zezë të Kosovës me besim me njerëzit tanë, me ushtarë të këtij vendi që luftojnë për të Kosovës e jo me mercenarë paguhen që vinë sa për të marrë pagesa në Kosovë dhe nuk ia lënë as një të mirë të Kosovës”, tha ai.

Mustafa tha se do ta zhvillojnë dialogun me Serbinë, në krye të së cilit tha se do të jetë Vjosa Osmani kryeministër, por që nuk do të japin tokë të Kosovës as të ndryshojnë kushtetutën për punë të dialogut.

Nga Gjilani, edhe njëherë ai i tha kandidates për kryeministër, Vjosa Osmanit, se e ka përkrahjen e plotë partisë, meqë siç tha ai, të gjithë janë të bindur që ajo do të qeverisë Kosovën me ndërgjegje, vullnet e përkushtim.

E Vjosa Osmani, e cila synon të jetë shef qeveri nga zgjedhjet e 6 tetorit, tha se Kosova e ka pohuar fuqishëm që ka vendosur të lidhë sërish fatin e  vet me LDK-në

Osmani: Nga e hëna do të u shpërbejë qytetarëve të Kosovës

“Programi ynë Beso, nuk është vetëm program i yni ai është program i juaji sepse buron nga zërat tuaj deri tani të padëgjuar, buron nga zërat e padëgjuar të nënave e njerëzve tjerë në spitalet tona . Programi ynë buron nga zërat e nxënësve që sot nuk marri ndije në shkollë, buron nga zërat e padëgjuar të punëtorëve të ndershëm  që mezi e kalojnë muajin, buron nga zërat e padëgjuar të të moshuarve tanë që sot shteti që ata vet e ndërtuan me vetëmohim u jep vetëm lëmoshë. Ky program që nga e hëna do të bëhet udhërrëfyes i pandryshueshëm i yni, sepse ka vetme një qëllim që Kosovën tonë të dashur ta bëjmë të jetueshme e me prosperitet. Dhe ketë jetueshmërinë në vendin tim nga e hëna do ta kem obligim jetësor. Prandaj puna ime të dashur qytetarë është që juve të u shpërbejë, të ja kthejnë shtetin qytetarëve”, tha Osmani.

Ajo tha se milionat e miliardat e projekteve të asfaltit e projekteve korruptive të deritanishme të ja kthejë menjëherë arsimit dhe shëndetësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat