Vjosa Osmani: 200 milionë të asfaltit do t'i investojmë në shëndetësi

Aktuale

Vjosa Osmani: 200 milionë të asfaltit do t'i investojmë në shëndetësi

Më: 4 tetor 2019 Në ora: 21:42
Vjosa Osmani

“Puna ime është që spitalet e Kosovës të mos mbesin pa penj, pa barna e pa mjekë. Që asnjë prind të mos frikësohet nga pasiguria financiare për shërimin e më të dashurve të vet. Puna ime është që milionat e miliardat e asfaltit t’i kthej - drejt e menjëherë - në shëndetësi. Shëndeti i qytetarëve është prioritet nacional imi; prandaj të 200 milionët e asfaltit do t’i investoj menjëherë në shëndetësi”, tha të premten në Gjilan, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani.

Ajo tha se puna se saj në detyrën e kryeministres do të jetë t'i shërbej secilit qytetar. “Puna ime është që shtetin t’ua kthej qytetarëve. Familjeve tuaja. Çifteve të reja, të cilat, sikurse unë e kolegët e mi, kanë vendosur t’i rrisin fëmijët e tyre në Kosovë. Prandaj, do t’ju ndihmojmë ta zgjidhin çështjen e banimit dhe rritjen e fëmijëve tuaj. Ata, nesër, bashkë me ju, do të ndërtojnë një Kosovë edhe më të bukur e më të denjë”, tha nënkryetarja e LDK-së dhe kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani.

Sipas saj, Programi “Beso” nuk është vetëm program yni, por është i gjithë qytetarëve, sepse buron nga zërat tuaj deri më tani të padëgjuar. “Buron nga zërat e padëgjuar të nënave të sëmura nëpër spitalet tona; buron nga zërat e padëgjuar të nxënësve që sot në shkollë nuk marrin dije; buron nga zërat e padëgjuar të punëtorëve të ndershëm që mezi kalojnë muajin; e buron nga zërat e padëgjuar të të moshuarve tanë që sot - shteti që vetë ata e ndërtuan me vetëmohim - u jep veçse lëmoshë”, pohoi Vjosa Osmani.

Ajo tha se ky program, që nga e hëna do të bëhet një udhërrëfyes i pandryshueshëm yni dhe ka veç një qëllim, që Kosovën tonë të dashur ta bëjë të jetueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat