Osmani: Ne do ta kthejmë të dielën e 6 tetorit në festë madhështore për mbarë Kosovën

Aktuale

Osmani: Ne do ta kthejmë të dielën e 6 tetorit në festë madhështore për mbarë Kosovën

Nga: M.H Më: 4 tetor 2019 Në ora: 22:31
Tubimi i LDK-së

Kandidatja për kryeministre, nga rradhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një shkrimi në Facebok, i është drejtuar qytetarëve duke iu thënë që të votojnë shpresën dhe jo frikën.

Osmani, ka vazhduar të shkruaj që me datën 6 Tetor do të sjellin festë madhështore për mbarë Kosovën.

Postimi i plotë

Të nderuar qytetarë të vendit tim,

Po ju shkruaj me zemrën plot dhe me besimin e madh që kam marrë këto ditë e përherë nga ju, me bindjen e thellë se tashmë i jemi vënë rrugës së ndryshimit dhe kemi marrë kthesën e madhe të rimëkëmbjes së Republikës sonë.

Beteja jonë e sotme është mes dorëzimit përfundimtar dhe shpëtimit përfundimtar; mes vazhdimit të stërkeqjes dhe kthimit kah e drejta; mes ikjes dhe qëndrimit.

Ne jemi para këtij vendimi historik: të votojmë që frika të vazhdojë të mbretërojë mbi ne, apo të votojmë që ta mundim frikën.

Qytetarë të respektuar,

Votoni për shpresën dhe jo për frikën. Votoni sepse vota juaj është veprimi më fisnik që ju sot mund ta bëni për vendin tonë.

Votoni që t'i jepni zë shpresës suaj dhe jo që zëri juaj të shuhet për katër vjetët e ardhshme

Votoni për fëmijët tuaj! Votoni për fëmijët tanë!

Ju, të dashur të rinj, që votoni për herë të parë, besoni në LDK. Jepini shpresë vendit dhe ndriçojeni rrugën tuaj për të ardhmen.

Le t’i japim, pra, shpresë Kosovës!
T’ia kthejmë dinjitetin secilit qytetar!
T’i japim vulë fitores sonë, në emër të baballarëve dhe nënave tona, në emër të rinisë sonë të shkëlqyeshme, në emrin e fëmijëve tanë!

Ne Besojmë!
Prandaj ne do ta kthejmë të dielën e 6 tetorit në festë madhështore për mbarë Kosovën!

Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe miqtë tanë shpëtimtarë!

E juaja përherë,

Vjosa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat