Mobilizim për zgjedhje dhe mbrojtje të votës

Aktuale

Mobilizim për zgjedhje dhe mbrojtje të votës

Më: 5 tetor 2019 Në ora: 14:22
Foto ilustrim

Më 6 tetor, qytetarët e Kosovës që kanë të drejtë vote pritet t’i nënshtrohen procesit zgjedhor, ditë kjo kur Kosova mbanë zgjedhjet parlamentare.

Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë më shumë se 1 milion e 900 kosovarë, që do të kenë mundësinë të votojnë për partitë apo kandidatët e tyre të preferuar për deputet.

Për zgjedhjet e 6 tetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 25 subjekte, prej tyre 20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur.

Në KQZ thonë se kanë bërë të gjitha përgatitjet sa i takon organizimit dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

Sipas këtij institucioni, të drejtë vote në zgjedhjet e 6 tetorit kanë saktësisht 1 milion e 937 mijë e 869 votues.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, tha për Radion Evropa e Lirë se në këto zgjedhje janë më shumë se 100 mijë votues të ri.

“Pra, janë 111 mijë e 733 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2017. Nga këta 111 mijë e 733 votues, janë 87 mijë e 180 votues të rinj që pas zgjedhjeve lokale 2017 kanë arritur moshën 18 vjeç, e që do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje, si dhe janë 24 mijë e 553 votues që nuk kanë qenë pjesë e listës votuese të këtyre zgjedhjeve, por që mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil midis dy palë zgjedhjesh ose që janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës”, tha Elezi.

Sipas KQZ-së, në këto zgjedhje do të hapen 895 qendra të votimit me gjithsejtë 2 mijë e 547 vendvotime, të cilat do të hapen në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19.00.

Procesi zgjedhor do të vëzhgohet nga një grup i më shumë se 40 organizatave të shoqërisë civile të cilët janë bashkuar në koalicionin “Demokracia në Veprim”.

Koalicioni i organizatave të shoqërisë civile, Demokracia në Veprim, do të kenë vëzhguesit e tyre në të gjitha qendrat e votimit në Kosovës.

Sipas, Blerta Aliut nga Demokracia në Veprim, ditën e zgjedhjeve do të jenë të angazhuar rreth 3 mijë vullnetarë të cilët do të raportojnë për çdo parregullsi që mund të paraqitet gjatë procesit të votimit.

“Koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim është mobilizuar tanimë për ditën e zgjedhjeve. Ne do t’i vëzhgojmë zgjedhjet e 6 tetorit, do të jemi në secilin vendvotim, diku tremijë vullnetarë janë të angazhuar në këtë proces. Do të mbulohen të gjitha vendvotimet, do të kemi qendrën e thirrjeve. Do të jemi prezent përmes konferencave në kohë reale për t’i kumtuar të gjitha rezultatet dhe të dhënat që na vijnë nga terreni. Për çdo parregullsi ne do të jemi aty për ta raportuar. Koalicioni i OJQ-ve, Demokracia në Veprim përbëhet prej 40 organizatave partnere dhe është i shtrirë d.m.th në të gjithë territorin e Kosovës”, tha Aliu.

Procesi zgjedhor i 6 tetorit do të vëzhgohet edhe nga një mision i gjerë i Bashkimit Evropian. Rreth 30 vëzhgues dhe analistë të këtij misioni janë vendosur në Kosovë që nga fillimi i muajit shtator.

Njëjtë si herëve të kaluara edhe në këto zgjedhje, në total do të jenë rreth 100 vëzhgues, nga shtetet anëtare të BE-së që do të vëzhgojnë procesin e votimit dhe numërimit më 6 tetor.

Ky është misioni i pestë i vëzhgimit të zgjedhjeve në Kosovë nga Bashkimi Evropian që nga viti 2013.

Ndërkohë, Policia e Kosovës do të kujdeset për mbarëvajtjen procesit si dhe transportimin e materialit zgjedhor.

Për të siguruar një proces të drejtë zgjedhor rol të rëndësishëm ka edhe Prokuroria e Shtetit, institucion ky që ka caktuar 100 prokurorë kujdestarë në nivel vendi për ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, ka thënë se prokurorët do të kujdesen që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme të parapara me ligj ndaj personave që mund të shkelin ligjin duke dëmtuar procesin zgjedhor.

Image

“Bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, ku janë të përfshirë 11 vepra penale, varësisht prej elementeve që do t’i hasim dhe krimeve të ndërmarra nga persona të caktuar do të reagojmë me kohë, menjëherë me ndalim të personave që do të bijnë ndesh me ligjin”, ka thënë Pula.

Zgjedhjet e 6 tetorit u shpallën pasi me 19 korrik të këtij viti, asokohe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga kjo pozitë.

Haradinaj e arsyetoi dorëheqjen me faktin se ai kishte pranuar ftesë për t'u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte nga Gjykata Speciale e Kosovës me Seli në Hagë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat