Qytetarët presin ndryshime nga zgjedhjet

Aktuale

Qytetarët presin ndryshime nga zgjedhjet

Më: 6 tetor 2019 Në ora: 13:07
Foto ilustrim

Derisa kanë kaluar vetëm gjashtë orë prej kur janë hapur qendrat e votimit, rreth 10 përqind e qytetarëve kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar.

Disa qytetarë në sheshet e Prishtinës shprehen optimistë se do të ketë ndryshime nga këto zgjedhje.

Sipas tyre, qeverisja e ardhshme duhet të tregohet më e përgjegjshme dhe të punojë për shtetndërtim.

Reshat Salihu qytetar nga Prishtina  tha se nga këto zgjedhje presin një jetë më të mirë për të rinjtë e Kosovës.

Salihu: Presim një jetë më të mirë

“Presim sa ma mirë me pas jetë, sidomos për rininë sepse kjo që shkoi ka pas shumë padrejtësi, korrupsion, nepotizëm. Të mbarojnë këto të shkojmë përpara të punojmë për rini”, tha Salihu.

Edhe Januz Dauti tregon se ka votuar, por që sipas tij të njëjtit deputetë do të jenë përsëri në Palrament, por që shpreson se të njëjtit do të vetëdijesohen dhe të angazhohen më shumë.

Dauti: Do të kemi të njëjtit deputetë

“Njëjtë, 80 përqind të deputetëve kanë më u përsëritë, ato koka por shpresoj që vetëdijesohen”, tha Dauti.

Lulzim Boshnjaku , ka një porosi për qytetarët e Kosovës, Ai i lutë të gjithë që të dalin të votojnë sepse sipas tij kjo është shansa e fundit për ndryshim.

Boshnjaku: Dilni votoni

“Ju kisha lutë të gjithëve, dilni votoni, votoni dhe ndëshkoni ata që deri tash nuk kanë punuar, jepnjau votën atyre që e meritojnë dhe inkurajoni që të punojnë pak më mirë, populli është sovrani, ai duhet t’i kontrollojë çdo moment ku shkojnë paratë e taksapaguesve, dilni e votoni kjo është shansa juaj e fundit”, tha Boshnjaku.

Gëzim Berisha tha se ka votuar, ndërsa beson se Qeveria e re do të punojë më shumë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Berisha: Qeveria e re, të punojë më shumë

“Prej këtyre zgjedhjeve presim ndryshime, sepse Kosova qe 20 vite nuk ka pasur asnjë ndryshim, jemi vendi më i izoluar në rajon dhe besoj që Qeveria e re do të punojë më shumë në integrime evropiane, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar besojë që kanë me ndodhë në qeverinë e ardhshme”, tha Berisha.

Edhe  Kujtim Lushaj tha se ka votuar dhe nga këto zgjedhje pret që të ndalet hajnia e politikanëve.

Lushaj: Momenti i fundit, për të shpëtuar

“Unë pres, kam shpresë, është koha e fundit momenti i fundit me shpëtu Republikën e Kosovës nga copëtimi dhe nga zhbërja e saj, pres që të ndalet korrupsioni, kontrabanda, mafoizllëku, hajnia  nga politikanët tanë”, tha Lushaj.

Ndryshe, sot po mbahen zgjedhjet e parakohshme nacionale, ku të drejtë vote kanë 1 milionë e 937 mijë e 868 qytetarë të Kosovës. Zgjedhjet po mbahen pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat