Krasniqi: Pse humbi LDK-ja

Aktuale

Krasniqi: Pse humbi LDK-ja

Nga: A.SH Më: 7 tetor 2019 Në ora: 21:40
Dr. Ibrahim Rugova dhe Milazim Krasniqi

Profesori Milazim Krasinqi ka treguar arsyet që sipas tij humbi LDK-ja.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se dy pikat e dobëta të LDK-së ishin, e para Kuvendi zgjedhor, ku u kamuflua kriza e liderit dhe e dyta përzgjedhja e një figure margjinale, si e mandatuar si kandidate për kryeministre.

Postimi pa ndërhyrje:

PSE HUMBI LDK-ja
Vjosa Osmani ka mundur ta merrte përdore Fanë Rugovën në mitingun hapës dhe në atë përmbyllës, si shenjë të Rugovës, ose e pakta si simbol të një gruaje shqiptare të devotshme.
Milazim KRASNIQI
LDK-ja duket të jetë humbësja më e madhe e zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, pasi llogaritej si fituese potenciale e zgjedhjeve. Por, ajo vetëm dukej si fituese potenciale, sepse në fakt ajo nuk ishte përgatitur për të fituar. Dobësia e saj ishte e fshehur, por ajo ishte aty, ishte prezente si nje sëmundje e padiagnostikuar.
Dy ishin pikat e dobëta të LDK-së, që ia shkaktuan humbjen e hidhur. E para, Kuvendi zgjedhor, ku u kamuflua kriza e liderit dhe e dyta përzgjedhja e një figure margjinale, si e mandatuar si kandidate për kryeministre. Pra, gabimi kryesor i LDK-së ishte që nuk e zgjodhi nje lider të ri të partisë në kuvendin e vet zgjedhor dhe pastaj atë lider ta mandatonte po në atë kuvend si kandidat për kryeministër. Duke fshehur konfliktin për liderin e partisë, LDK e krijoi iluzionin e unitetit, por nuk e fashiti konfliktin e nëndheshëm. E dyta, kandidatja Vjosa Osmani thjesht nuk funskionoi si kandidate koncensueale. Ajo ndoqi linjën e saj si figurë margjinale në LDK, duke injoruar historinë dhe filozofinë e LDK-së. Fjala vjen, edhe përjashtimi i familjes Rugova e ka tagrin e vet në këtë humbje të saj. Vjosa Osmani ka mundur ta merrte përdore Fanë Rugovën në mitingun hapës dhe në atë përmbyllës, si shenjë të Rugovës, ose e pakta si simbol të një gruaje shqiptare të devotshme. Edhe më e çuditshme është që ajo nuk arriti t’i nxiste gratë dhe vajzat që ta votonin më shumë. Pse? Sepse agresiviteti i saj i ka lënë të hutuara shumë prej tyre. Në fakt, fjalimet e Vjosa Osmanit ishin me tone të zjarrta antiPDK, duke e huqur politikisht cakun krejtësisht. Gjithkush me mendje të esullt e dinte se rreziku asaj i vinte nga VV, ndërsa ajo me një monolog të mërzitshëm kacafyej me PDK-në. Dhe ndodhi ajo që nuk pritej, humbja e LDK-së, në kohën kur llogaritej se e kishte rrugën të hapur që të dilte e para.
Tash mund të bëhen spekulime gjithfare lidhur me shkaqet e humbjes, por çdo analizë që e shmang përgjegjësinë e kryetarit të partisë, Isa Mustafës dhe të kandidates për kryeministre, Vjosa Osmanit, ëshë joserioze. Pavarësishtt a hyn në koalicion me VVV-në a jo, tash LDK-së i mbetet të rikthehet te Kuvendi zgjedhor përkatësisht te kriza e liderit të partisë. Definitvisht, LDK-së i duhet lider i ri. Por, i duhet lider që e njeh dhe që e mbështet baza e partisë, e jo ndonjë figurë tjetër sharmante për medie e publik, por margjinale në parti. Pra, jo ndonjë figurë nga ato që duken si të marra me qira nga parti e filozofi politike të tjera nga ajo e LDK-së, sikundër janë në fakt përgjegjësit e kësaj humbjeje të radhës, Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani. (7 tetor 2019)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat