“Nëse LDK e kërkon kryeministrin, lë të kuptohet se nuk po e duan VV-në në pushtet”

Aktuale

“Nëse LDK e kërkon kryeministrin, lë të kuptohet se nuk po e duan VV-në në pushtet”

Më: 9 tetor 2019 Në ora: 00:00
Mimoza Kusari-Lila

“Sikur LDK-ja të kërkonte tash kryeministrin, do të humbte shumë në elektorat. Sikur të kërkojnë sërish kryeministrin, do të linte të kuptohet se nuk po e duan LVV-në në pushtet”.

Kështu tha Mimoza Kusari-Lila në Interaktiv të KTV-së.

Ajo foli edhe për pritjet e qytetarëve për një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së.

“Sa herë që ka pasur marrëveshje pa program por për poste, është shtuar dëshpërimi në Kosovë. Është hera e parë që një marrëveshje, shpresoj, të arrihet e bazuar në program. Por, pritjet e mëdha mund të sjellin dëshpërim. Për gjashtë muaj nuk do të ndryshojë asgjë në Kosovë. Por, duhet të kalojmë në për këtë proces. Kurti në këtë rast e ka privilegjin dhe përgjegjësinë që të hyjë në histori si kryeministri më reformator që hap një kapitull të ri të Kosovës”, u shpreh ajo.

Kusari-Lila tha se Kurti ka premtuar zvogëlim të qeverisë, pastaj ka përmendur reformat, marrjen e përgjegjësisë për dialogun, rishikimin e të gjitha marrëveshjeve me Serbinë, e të tjera.

“Reformat në ekonomi do të përfshijë boshtin e ndryshimeve. Nëse flasim vetëm për dialogun, s’duhet të humbet fokusi nga çështjet tjera. Por duhet të ketë reforma brenda. Qeveria Kurti nuk guxon të humbë fokusin, duke thënë se po merrem me dialogun e të lë anash tjerat. Planet në kuadër të programit qeverisës janë planet për ndryshime të ligjeve. Duhet shumë punë në komisione të Kuvendit”, tha Kusari-Lila.

Ish-kryetarja e Gjakovës u shpreh e bindur se me numërimin e votave të diasporës, votat për LVV-në dhe LDK-në do të rriten, duke tejkaluar numrin 61 të deputetëve, të nevojshëm për votimin e Qeverisë së re.

“Me votat e diasporës dhe me votat me kusht, do të kemi më shumë se 61 deputetë bashkë me LDK-në. Do të ketë dinamikë ndryshe të Kuvendit. Premtimet me të cilat janë fituar zgjedhjet duhet të realizohen – duhen ndryshuar ligjet. Është ligji i Buxhetit e shumë ligje tjera, që duhen ndryshuar”, tha ajo.

Ajo foli për ndërmarrjet publike, duke u ndaluar edhe tek Telekomi i Kosovës.

“Duhet të ekzistojë një plan dinamik dhe i saktë për rimëkëmbjen e Terlekomit. E para është verifikimi i raporteve të performancës, që është hapi i parë për vlerësimin e brendshëm. Pastaj rivlerësimi i aseteve të ndërmarrjes dhe i njerëzve. Nuk duhet të bëhet panik për të menduar se të gjithë ata që kanë hyrë në punë së fundmi do të dalin. Meritorët dhe profesionistët do të vazhdojnë edhe më shumë angazhime se që kanë pasur, por edhe përgjegjësi më shumë. Kemi 76 ndërmarrje, prej tyre janë në numër 1 shifror ato që performojnë pozitivisht. Kjo qasje e re do të marrë rreth 1 vit e gjysmë për vlerësim. Pastaj vlerësojmë se a duhet të shiten aksionet, njëfarë privatizimi i pjesshëm ku Qeveria mban shumicën e aksioneve”, deklaroi Kusari-Lila.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat