Bislimi i VV-së: Qytetarët kanë pritje të mëdha për qeverinë e re – duhet t’i qasemi ndryshe buxhetit të shtetit

Aktuale

Bislimi i VV-së: Qytetarët kanë pritje të mëdha për qeverinë e re – duhet t’i qasemi ndryshe buxhetit të shtetit

Më: 9 tetor 2019 Në ora: 20:38
Besnik Bislimi

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka thënë se pas fitores së këtij subjekti politik në zgjedhjet e 6 tetorit, qytetarët kanë pritje të mëdha për qeverinë e re.

Përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se, qeveria në ardhje do të këtë qasje ndryshe sa i përket buxhetit të shtetit, aseteve, ndërmarrjeve publike…

“Me 6 tetor e përmbyllëm një fushatë shumë intenzive, shumë të pastër dhe afirmative nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe nga subjektet tjera pjesëmarrëse ne zgjedhje.

Fitorja është e madhe për arsye se edhe pritjet e qytetarëve nga qeverisja e re janë shumë të mëdha. Si qytetarët e vendit ashtu edhe miqtë tanë nga regjioni e më larg, me të drejtë presin që qeveria e re të prezantojë një qasje komplet ndryshe si ndaj buxhetit të shtetit ashtu edhe ndaj aseteve e ndërmarrjeve publike; si ndaj nxënësve ashtu edhe pensionistëve; si ndaj punëtorëve ashtu edhe ndërmarrësve; si ndaj gruas ashtu edhe të rinjve; si ndaj qytetarëve këtu (pa dallim etnie) ashtu edhe mërgatës. Një qasje bashkëpunuese ndaj opozitës. E parasëgjithash një fjalor në komunikim që reflekton respekt ndaj secilit e për secilin”, ka thënë Bislimi.

Ai ka theksuar se, Qeveria Kurti do të dëshmojë punën dhe përkushtimin ndaj popullit, duke thënë se gjuha përçmuese e përçarëse që ka qenë e zakonshme në komunikimin e ish pozitës me ne, përfundimisht i takon së kaluarës.

“Dhe kanë të drejtë në këto pritje. Është tejet e rëndësishme që secili prej nesh, pa marrë parasysh deputet apo asamblist, aktivist apo mbështetës, të dëshmojmë secilën ditë të lume që këto pritje do të përmbushen. Që gjuha përçmuese e përçarëse që ka qenë e zakonshme në komunikimin e ish pozitës me ne, përfundimisht i takon së kaluarës. Që secili qytetar i vendit të ketë arsye të ndihet rehat nën qeverisjen tonë. Vetëm kështu tregojmë se e meritojmë besimin që na është dhënë më 6 tetor”, ka shkruar ai në rrjetin social,

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat