Kurti: Idetë për shkëmbim territoresh kanë marrë fund, kjo është oferta ime për Serbinë

Aktuale

Kurti: Idetë për shkëmbim territoresh kanë marrë fund, kjo është oferta ime për Serbinë

Më: 9 tetor 2019 Në ora: 22:41
Albin Kurti

(E plotësuar) - Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka deklaruar se ideja e shkëmbimit të territoreve dhe diskutimet mbi harta kanë marrë fund me ardhjen e Vetëvendosjes në pushtet.

“Oferta ime për Serbinë është lista e kërkesave për borxhin që na e ka për obligimet e luftës. Serbia duhet ta shohë veten në pasqyrë dhe jo shqiptarët me dylbi. Vuçiç thotë që nuk mund ta njoh Kosovën me këto kufij. Dhe së dyti, me thoni çfarë kërkoni dhe ne jemi gati t’ja u japim. Këto kushtëzime ne nuk i pranojmë. Zgjidhje territoriale me lapsa e harta në dore, kjo ide merr fund me ne. Jo harta me president republike. Jo marrëveshje pa dialog. Jo dialog për kufij. Këto janë qëndrimet e mia. Vuçiç duhet ta kuptoje njëherë e mire çdo të thotë ardhja e VV në pushtet. Dhe ai besoj e di shume mirë”,- tha Kurti në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu.

Kurti ka folur dhe për marrëdhënien me Edi Ramën, ku vitet e fundit nuk kanë munguar dhe përplasjet publike mes tyre.

Lideri i Vetëvendosjes tregoi se shkak i prishjes së marrëdhënieve me Edi Ramën ka qenë mbështetja e kryeministrit të Shqipërisë për politikat e Hashim Thaçit.

“Raportet e mia me Ramën nuk mund të them që i kemi shumë të mira, por duhet t’i përmirësojmë. Raportet me të i prisha për shkak të afrimitetit të tij me Thaçin, në kohen kur zhvillohej protesta më e madhe kundër Presidentit të Kosovës. Për mua mbetet enigmatike si ai nuk mund të shkëputet dot nga idetë e Thaçit. Me presidentin e Shqipërisë i kam raporte shumë të mira, por kemi kohë që nuk jemi takuar”, deklaroi Kurti.

A do të kërkojë Kurti shkarkimin e Hashim Thaçit?

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati i kësaj partie për Kryeministër të Kosovës, u pyet nga gazetari Blendi Fevziu nëse do të kërkojë shkarkimin e Presidentit Hashim Thaçi.

Blendi Fevziu: Është folur që mund të kërkoni shkarkimin e Presidentit të Kosovës, Zotit Hashim Thaçi. Është e vërtetë?

Albin Kurti: Ne gjithmonë e kemi kërkuar këtë gjë.

Blendi Fevziu: A do të merrni ndonjë akt në këtë drejtim, se sot keni vota?

Albin Kurti: Nuk kemi vota për ta bërë shkarkimin.

Blendi Fevziu: Po me ç’shkak do kërkoni ta bëni shkarkimin, se kjo kërkon edhe një argumentim?

Albin Kurti: Problemi më i madh që kemi me Presidentin, tani ta shohim pas vendosjes sonë si qeveri dhe fitores në zgjedhje,është sa i përket raporteve me Serbinë, sepse ka qenë fort problematik në këto dy vitet e fundit.

Blendi Fevziu: Në ç’kuptim?

Albin Kurti: Ai ka bërë diçka të paimagjinueshme për ne para 3 viteve, për shkak se në njërën anë ka pranuar që të bëjë një lloj shkëmbimi territorial me Serbinë. Ai e ka quajtur korrigjim i kufirit me kompromis të dhimbshëm, ku Veriu është dhuratë e Rankoviçit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat