Deklarohet Ambasada amerikane, tregon qëllimin e vizitës së Grenell në Kosovë dhe Serbi

Aktuale

Deklarohet Ambasada amerikane, tregon qëllimin e vizitës së Grenell në Kosovë dhe Serbi

Nga: A.ZH Më: 10 tetor 2019 Në ora: 17:26
Richard Grenell dhe Hashim Thaçi

Ambasada Amerikane në Prishtinë, ka lëshuar një komunikatë pas takimeve të të dërguarit special presidencial për negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës, ambasadorit Richard Grenell, në Prishtinë dhe Beograd.

Ambasada ka njoftuar se Grenell ka zhvilluar takime me udhëheqësit më të lartë shtetërorë në të dyja vendet.

Sipas Ambasadës, qëllimi i vizitës së ambasadorit Grenell, është për t’i bërë bashkë partnerët në Kosovë e Serbi për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për pikat e konfliktit në rajon.

“Të dyja palët do të duhet të punojnë ngushtë dhe shpejtë duke shikuar nga e ardhmja”, thuhet në komunikatë, përcjell Bota sot.

Komunikata e plotë e Ambasadës amerikane:

Deklaratë lidhur me takimet fillestare të të dërguarit special presidencial për negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës, ambasadorit Richard Grenell, në Prishtinë dhe Beograd

Në vizitën e tij të parë zyrtare Kosovës dhe Serbisë me 9-10 tetor, ambasadori Richard Grenell u takua në Prishtinë me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, si dhe me udhëheqësit e partive politike, duke përfshirë Albin Kurtin, Isa Mustafën, Vjosa Osmanin, Kadri Veselin dhe Ramush Haradinajn, kurse në Beograd u takua me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin dhe kryeministren Ana Bërnabiq.

Ambasadori Grenell i filloi të dy ditët duke u takuar së pari me udhëheqësit e komunitetit afarist.

Administrata e Presidentit Trump fuqimisht beson që zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë dhe rritja e mundësive tregtare luajnë rol kryesor në sigurimin e paqes së qëndrueshme.

Qëllimi është për ti bërë bashkë partnerët tanë në Serbi dhe Kosovë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për pikat e konfliktit në rajon.

Të dyja palët do të duhet të punojnë ngushtë dhe shpejtë duke shikuar nga e ardhmja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat