Vjosa Osmani: Njerëz të panjohur më hynë në oborr dhe m’i frikësuan fëmijët

Aktuale

Vjosa Osmani: Njerëz të panjohur më hynë në oborr dhe m’i frikësuan fëmijët

Më: 10 tetor 2019 Në ora: 20:57
Vjosa Osmani

(E plotësuar) - Kandidatja e LDK’së për kryeministre, Vjosa Osmani, thotë se lajmet të cilat ajo i konsideron të rreme gjatë fushatës zgjedhore e kanë rrezikuar atë dhe familjen e saj.

Vjosa Osmani thotë se gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare ajo është kërcënuar nga njerëz të panjohur.

“Njerëz të panjohur kanë ardhur në oborrin tim dhe m’i kanë frikësuar fëmijët”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë në Rubikon se asaj i kanë ardhur kërcënimet për shkak të disa raportimeve se ajo ka punuar në UNMIK ku janë hetuar krimet e luftës, se ka lidhje me rusë dhe se do të jetë dëshmitare në Gjykatën Kushtetuese.

Osmani arsyeton humbjen e LDK-së në Gjilan, thotë s’është njëjtë gara ndaj Kurtit si ndaj Kurteshit

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka arsyetuar humbjen e partisë së saj në Gjilanin e Lutfi Hazirit, ndaj Vetëvendosjes. Atje LDK-ja është mbrapa me 13 për qind, ose rreth 5 mijë e 600 vota.

Osmani ka thënë se angazhimi i Lutfi Hazirit ka qenë në tërë Kosovën, dhe jo vetëm në Gjilan.

“Kjo e ka hendikepuar atë, meqë nuk ka mundur të merret vetëm me Gjilanin, por ka qenë në tërë Kosovën, me kërkesën tonë si shef i Shtabit Zgjedhor”, ka thënë Osmani.

“Nuk po e arsyetoj, por askush nuk mund të bëjë me gisht ndaj askujt se nuk ka punuar si duhet e sa duhet. Unë dua të falënderojë të gjithë ata që kanë punuar natë e ditë, dhe që më kanë përkrahur parezervë”, ka shtuar më tej.

Osmani ka thënë se megjithatë njerëzit në nivel lokal votojnë ndryshe në nivel qendror.

“Ndryshe është kur konkurrenca është në mes të Kurtit, e ndryshe kur ajo është kundër Ismail Kurteshi”, ka thënë ajo, duke aluduar në garën në mes të Lutfi Haziri dhe Ismail Kurteshi për kryetar të Gjilanit në zgjedhjet e kaluara lokale.

Tutje, Osmani ka thënë se do të tregohej mosmirënjohëse dhe nuk do ta thoshte të vërtetën nëse do të deklarohej ndryshe.

Megjithatë, sipas Osmani, është me rëndësi se LDK-ja, është rritur me rreth 25 për qind në krahasim me zgjedhjet e kaluara të përgjithshme.

“Sipas kalkulimeve tona ne kemi një rritje prej mbi 50 mijë votash. Duke hequr AKR-në dhe Alternativën nga zgjedhjet e kaluara, me të cilat garuam bashkë, i bie që kësaj here kemi rritje prej rreth 25 për qind. Garuam vetë dhe bëmë mirë që garuam vetë. Ishte shumë me rëndësi që t’i masnim forcat”, ka thënë Osmani.

Osmani thotë se deri tash s’ka asgjë konkrete, me VV-në ka vetëm marrëveshje për të negociuar

Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila sot parimisht u dakordua me Albin Kurtin nga Lëvizja Vetëvendosje për të shkuar në koalicion që do ta përbënin qeverinë e ardhshme, në Rubikon ka thënë se megjithatë janë në pritje të numërimit të votave të mbetura dhe të kuptohet përfundimisht gjithçka mes tyre.

“Kemi pritur të jemi shumë më përpara, por tash duhet të presim rezultatin final dhe të dihet ku janë këto dy parti”, tha ajo.

Sipas Osmanit, që ishte kandidate për kryeministre nga LDK-ja, tha se pas numërimit të të gjitha votave “do të përpiqemi të arrijmë një marrëveshje me Vetëvendosjen”.

Osmani ka folur për takimin e sotëm që zhvilloi me Kurtin por thotë se s’ka asgjë konkrete dhe me VV-në kanë arritur vetëm marrëveshje për të negociuar.

“U morëm vesh të tentojmë të arrijmë një marrëveshje, gjatë këtij takimi të dy palët treguam vullnet të mirë për të bashkëqeverisur e për të negociuar. Por, asgjë s’kemi arritur deri tash. Kemi arritur vetëm marrëveshje për të negociuar”, tha ajo.

Kandidatja për kryeministre e LDK-së, tha se “s’shohim partner tjetër bashkëqeverisës”.

“Nëse nuk arrijmë assesi mes nesh, normalisht që opozita është opsion. Nga ana tjerë ka vullnet të plotë të arrihet një marrëveshje por s’mund të them cili është rezultati përfundimtar sepse është herët dhe po presim edhe rezultatet përfundimtare”, tha ajo.

Për momentin, tha ajo, ka vullnet të mirë për bashkëqeverisje. Shprehet optimiste që gjatë rrugës mos të prishet asgjë, por thotë se VV-ja “duhet ta dijë se kur të ulemi për të biseduar të ulemi si të barabarta”.

Osmani thotë se nuk mund të shkojnë në bashkëqeverisje nëse kanë ide të kundërta mes vete.

“Ne synojmë ta bëjmë qeverinë sa më shpejtë, por mos të ketë iluzione se kjo është diçka e thjeshtë”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat