Gjendja e zyrtarëve të KQZ-së e mirë - nuk ka sëmundje ngjitëse

Aktuale

Gjendja e zyrtarëve të KQZ-së e mirë - nuk ka sëmundje ngjitëse

Më: 15 tetor 2019 Në ora: 15:25
Gjendja e zyrtarëve të KQZ-së e mirë - nuk ka sëmundje ngjitëse

Gjendja shëndetësore e 12 zyrtarëve të KQZ-së të shtrirë në Klinikën Infektive është e mirë dhe se në bazë të rezultateve laboratorike nuk kanë infeksione ngjitëse.

Kështu është bërë e ditur gjatë një konference për media nga zyrtarë të QKUK-së, ku është thënë se të gjithë pacientët e shtrirë në Klinikën e Infektives do të qëndrojnë deri ditën e nesërme.

Drejtoresha  e kësaj klinike Lindita Ajazaj-Berisha,  the se gjitha analizat që iu janë bërë kanë treguar se nuk ka infeksione.

Berisha: Gjendja shëndetësore e të gjithë pacientëve është e mirë

“Në Klinikën Infektive gjenden 12 pacientë, gjendja shëndetësore e të gjithë pacientëve është e mirë, pritet momenti që e përcjellim dhe e shohim të arsyeshme do t’i lëshojmë në shtëpi në momentin që na lejohet në aspektin shëndetësor. Nuk kanë ankesa pacientët dhe prej rezultateve që i kemi marrë është konfirmuar që nuk ka sindromë infektive. Për momentin, me këto rezultate të strisheve që janë marrë përjashtim që është në pyetje ndonjë sëmundje infektive...Të gjitha analizat laboratorike që i kemi marrë nga Instituti i biokimisë janë në normë, analizat rutinore biokimike, kurse strishet e marra të cilat sot i kemi marrë rezultatet edhe ato e përjashtojnë mundësinë e ndonjë agjensi infektiv...Ne si Klinikë Infektive, qëllimi jonë është të përjashtohen agjensët infektivë, rezultatet tjera priten”, tha ajo.  

Berisha ka treguar se me cilat simptoma i kanë pranuar zyrtarët e KQZ-së, ndërsa nuk ka dhënë përgjigje pse kanë pasur këto simptoma.

Berisha: Si Klinikë mundemi me dhënë informata vetëm sa i përket sëmundjeve infektive

“Ne prej fillimit kemi thënë që simptomat me të cilat pacientët kanë ardhur në Klinikën Infektive ka dominuar kruajtja e duarve, të cilat kanë qenë me intensitet të ulët, disa prej tyre kanë pasur mundim dhe vjellje, disa kanë pasur dhe disa nuk kanë pasur skuqje të fytyrës. Mirëpo, për shkak të mundësisë së ndonjë agjensi infektiv është dashur të pranohen në Klinikën Infektive derisa të përjashtohen të gjithë sëmundjet ngjitëse. Momentin që i kemi marrë rezultatet nga Instituti Kombëtar dhe janë përjashtuar agjensët infektivë pacientët nëse gjendja shëndetësore e tyre është e mirë nesër lirohen në shtëpi. Ne si Klinikë Infektive mundemi me dhënë informata vetëm sa i përket sëmundjeve infektive dhe agjensëve infektivë”, deklaroi ajo.

Se rezultatet laboratorike kanë dalë mirë, e tha edhe drejtori i  Institutit  Kombëtar të Shëndetësisë Publike Naser Ramadani, i cili tha se në bazë të analizave laboratorike kanë konfirmuar se ata nuk kanë sëmundje ngjitëse.

Ramadani: Nuk ka sëmundje ngjitëse

“Analiza të tjera jashtë domenit të shëndetësisë, faktikisht të Klinikës Infektive që kanë të bëjnë me burimin e kontaminimit janë çështje e institucioneve tjera relevante, të forenzikës...Në bazë të rezultateve laboratorike kemi konfirmuar se nuk ka sëmundje ngjitëse. Ne themi vetëm se nuk ka sëmundje ngjitëse. Nuk ka diagnozë për sëmundje ngjitëse. Pacientët janë në observim dhe me plotë të drejtë kanë ndenjur në Klinikën Infektive për t’u observuar dhe për t’u bërë të gjitha analizat e mundshme për të izoluar dhe përjashtuar të gjithë agjensët e mundshëm infektivë që kanë mundur të jenë”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i SHSUK-së Basri Sejdiu, bëri të ditur se për të pasur rezultate sa më të mira është krijuar konsiliumi, ku janë konsultuar mjekët e të gjitha profileve.

Sejdiu: Është formuar konsiliumi ku nënkupton se të gjitha profilet janë konsultuar të mjekëve

“Është formuar konsiliumi ku nënkupton se të gjitha profilet janë konsultuar të mjekëve, në mënyrë që rezultatet në fund të jenë sa më të mira”, u shpreh ai.

Ndryshe, punëtorët e KQZ-së ditën e diel, derisa kishin qenë duke verifikuar zarfet e ardhura nga Serbia për zgjedhjet e 6 tetorit, kishin pasur ankesa për kruajtje të duarve, fytyrës, si dhe vështirësi në frymëmarrje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat