Sekretari i AKR’së: S’e dimë a e kemi kaluar pragun

Aktuale

Sekretari i AKR’së: S’e dimë a e kemi kaluar pragun

Më: 16 tetor 2019 Në ora: 06:41
Vesel Makolli

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli, për lajmin se koalicioni Nisma Socialdemokrate-AKR-Partia e Drejtësisë ka kaluar pragun, ka thënë se shpreson të jetë i vërtetë por që ende nuk kanë një informatë të tillë.

“Kisha dashur me qenë ashtu, bile edhe me një përqindje më të madhe, por zyrtarisht njëherë nuk ka informatë të tillë. Ne shpresojmë që gjatë rinumërimit të 305 kutive do të dalin vota të mjaftueshme për ta kaluar pragun”.

Ai ka thënë se votat e tyre kanë humbur edhe për shkak të gabimeve që janë bërë në formularë dhe të tjera të ngjashme.

“Deri tash janë numëruar diku më shumë se gjysma e kutive e në një kuti i kemi 20 vota më shumë (po flas sipas informatës zyrtare). Shpresojmë që do të ketë ende vota të mjaftueshme për koalicionin tonë për ta kaluar pragun ne kutitë që do të rinumërohen, vota të cilat shkaku i gabimeve në formularë dhe të ngjashme nuk janë regjistruar për koalicionin tonë”, ka deklaruar ai për Klankosova.

Për Makollin votat nga diaspora dhe me kusht janë shpresë shtesë për arritjen e qëllimit të tyre.

“Pos kësaj duhet të numërohen edhe votat nga diaspora, me kusht dhe nga personat me nevoja të veçanta, e qe janë një numër i madh andaj edhe nga këto vota ne presim që të kemi te mjaftueshme për ta kaluar limitin. Janë në pyetje pak vota, sipas llogarisë sime diku rreth 340 vota, andaj jo vetëm që mundemi ta kalojmë pragun por kemi mundësi edhe t’i afrohemi shifrës prej 6%. Por sido që të jete i presim konfirmimet zyrtare dhe e respektojmë vendimin e sovranit – popullit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat