Baraliu kritikon KQZ-në për numërim të ngadaltë dhe partitë për presion ndaj tyre

Aktuale

Baraliu kritikon KQZ-në për numërim të ngadaltë dhe partitë për presion ndaj tyre

Më: 16 tetor 2019 Në ora: 14:12
Mazllum Baraliu, ish-kryetar i KQZ-së

Kanë kaluar më shumë se një javë prej kur kosovarët kanë votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme të gjashtë tetorit. Megjithatë, rezultati i certifikuar që tregon se sa për qind doli dikush fitues, e kush mbeti pa e kaluar pragun ende nuk dihet. Sot ka filluar numërimi i votave me postë, derisa në radhë mbeten edhe ato me kusht e të personave me aftësi të kufizuara. Ish-shefi i KQZ-së, Mazllum Baraliu, ka deklaruar se për të shkuar numërimi më shpejt do të duhej një organizim shumë më efikas.

Dje ka përfunduar rinumërimi i 314 vendvotimeve, derisa sot KQZ-ja ka njoftuar se kanë filluar me numërimin e votave me postë, që janë rreth 13 mijë e 500 vota.

Me këtë intensitet do të duhet edhe një javë që të përfundohet i gjithë numërimi, e të bëhet certifikimi i rezultateve ku do të dihet se si kanë dalë nga zgjedhjet partitë e kandidatët e caktuar.

Ky vonim nga ish-kryetari i KQZ-së, Mazllum Baraliu, po shihet si një organizim joefikas nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Baraliu ka thënë se ka disa faktorë që janë duke e vonuar numërimin e votave.

“Patjetër që po do të duhej një organizim shumë ma efikas nga ana e KQZ-së dhe sekretariatit veçanërisht QNR-së ky është një faktor, faktori i dytë kjo që doli në sipërfaqe puna e rinumërimit në 314 vendvotimeve, ka nxjerrë punë përsëri për shkak të një gabimi teknik, është zvarritje dhe pritshmëri e lartë për të mos thënë gjendje ankthi për të gjithë pjesëmarrësit e procesit si subjektet politike, po ashtu, edhe kandidatët për deputetë që presin me padurim për çdo votë të marrin informacione a do të jenë deputetë apo jo”, shton ai.

I njëjti thotë se krejt kjo punë kryhet nën presion të kohës.

“Ata që punojnë kryesisht janë me kohë të caktuar, me kontrata të veçanta dhe çdo ditë që vazhdon atyre u konvenon, po ajo nuk është problemi se aty punohet me intensitet të madh, unë e kam përvojën e duhur për të dëshmuar se aty punohet shumë por punohet me presion, nën llupë me impulse të shpejtuara. Është punë nën presion që shkakton stres dhe nuk është punë për t’ia pa për të madhe”, thotë ai.

Ish-shefi i KQZ-së ka thënë se procesi po tentohet të zgjatet e të përsëritet nga jashtë për t’i konvenuar dikujt nga partitë politike.

“Nuk mund të paragjykoj, numri i saktë i punëtorëve aty nuk dihet në këtë situatë çfarë dikush po pretendon nga jashtë që procesi të zgjatet e të ripërsëritet, të nxirren qime nga veja, për të parë eventualisht mos ndonjë votë, për të përfituar ata ose për të dëmtuar dikë tjetër, ju e dini që janë rezultate të ngushta në mes të subjekteve politike”, ka shtuar ai.

Mazllum Baraliu ka thënë, gjithashtu, se ka një muaj kohë afat ligjor KQZ-ja për t’i certifikuar rezultatet.

“Jo deri në një muaj ka afat zakonisht afati është njëmujor për t’i kryer të gjitha problemet e për t’i shpallë rezultatet kësaj radhe kanë qenë shumë mirë në KQZ, sepse për disa orë e dhanë përqindjen më të madhe, me atë trend po të shkonte po ata e kanë lanë, kanë ra në ora 12:00 kanë flejt, nesër në ora 12:00 kanë vazhdu, një ditë humbje po ka mundësi edhe hapësirë për efikasitet më të madh”, ka shtuar ai.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë janë mbajtur me gjashtë tetor, derisa, deri tani Vetëvendosje radhitet si parti e parë, e pasuar nga LDK-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat