Hoxha: Hetuesi i arrestuar sot dhe tjetri që po kërkohet, punonin nën direktivat e Radojiçiqit

Aktuale

Hoxha: Hetuesi i arrestuar sot dhe tjetri që po kërkohet, punonin nën direktivat e Radojiçiqit

Më: 16 tetor 2019 Në ora: 14:27
Sylë Hoxha

(E plotësuar) - Policia e Kosovës ka dhënë detaje mbi aksionin që ka ndërmarrë për arrestimin e disa personave për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani tha se në këtë aksion kanë qenë të përfshirë rreth 100 zyrtarë policorë, ndërsa janë bastisur tri lokacione të ndryshme në veri të Mitrovicës.

Ai tha se në këtë aksion është arrestuar një person në kërkim, ndërsa një tjetër për të cilin kishte urdhër nuk është hasur nga policia. Sipas tij, është arrestur edhe një tjetër i cili nuk ka qenë në kërkim.

 "Në bazë të urdhër kontrollit është arritur të arrestohet një zyrtar policor, ndërsa një zyrtar policor nuk është takuar ose nuk është hasur nga policia. Është arrestuar një person tjetër por që nuk ka qenë në urdhër kërkim. Vlen të potencohet se Policia e Kosovës gjatë këtij operacioni të konfiskoj 6 armë, prej tyre 2 zyrtare", tha ai.

Ndërsa, prokurori Sylë Hoxha, tha se e ka intervistuar zyrtarin policor të arrestuar dhe se është deklaruar i pafajshëm, por që tha se kanë prova të mjaftueshme.

Ai tregoi edhe arsyen e arrestimit të këtyre personave.

"Ne i kemi zgjeruar hetimet për veprat penale pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal dhe keqpërdorim i pozitës ose detyrës zyrtare. Gjatë këtij aksioni një person zyrtar policor është hasur dhe është arrestuar. E kam intervistuar dhe kam parashtruar kërkesën për caktimin e paraburgimit. Një person tjetër që nuk ka qenë në urdhëresën e gjykatës i është gjetur një pistoletë, ai dyshohet për armëmbajtje pa leje dhe është liruar pas intervistimit”, tha Hoxha.

Ai shtoi se grupi Millan Radijoqiqit është mirë i organizuar dhe ka ndikim edhe në Policinë e Kosovës në veri dhe në institucione.

“Personi i arrestuar sot është hetues dhe ne dyshojmë se ka punuar në mënyrë selektive dhe me direktiva të dikujt tjetër. Ka pasur raste kur i kanë kryer hetimet shpejt e shpejt, ka pasur raste kur nuk janë ndërmarrë veprimet e nevojshme", tha ai.

***

Policia e Kosovës dhe Prokuroria në një konferencë për media kanë dhënë detaje rreth aksionit të sotëm në veri të Republikës së Kosovës.

Baki Kelani dhe prokurori Sylë Hoxha kanë konfirmuar se gjatë aksionit është arrestuar një zyrtar policorë.

Hoxha ka thënë se e ka intervistuar këtë person paradite, dhe ka parashtruar në Gjykatën Themelore kërkesën për caktimin e paraburgimit.

Ndërkohë personi tjetër i arrestuar që nuk ka qenë në urdhëresën e Gjykatës, pas intervistimit është lëshuar dhe mbrohet në liri.

Sylë Hoxha ka thënë se ndaj personave për të cilët janë zgjeruar hetimet ka prova se kanë punuar dhe vepruar nën urdhrat e Milan Radojicicit dhe grupit të tij.

Këta persona dyshohet se nuk i kanë kryer hetimet e duhura procedurale dhe se i kanë fshehur disa prova të vrasjeve të ndryshme, jo vetëm për rastin e Radojcicit.

“Personi i arrestuar sot është hetues. Dhe në bazë të dhënave kemi parë që ka punuar nën direktivat e dikujt tjetër. Ka pasur raste kur është punuar shpejtë e shpejtë, por ka raste kur nuk janë marrë vendimet e duhura procedurale”, ka thënë Hoxha

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat