Nis rinumërimi i votave nga 530 vendvotime

Aktuale

Nis rinumërimi i votave nga 530 vendvotime

Më: 17 tetor 2019 Në ora: 08:33
QNR

(E plotësuar) - Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar rinumërimi i 530 vendvotimeve, proces ky i cili pritet të zgjasë rreth një javë. Pas përfundimit të këtij procesi do të fillojë edhe numërimi i votave me kusht dhe personave me nevoja të veçanta.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar të gjitha arsyet e rinumërimit, teksa i ndau ato në gjithsej pesë kategori.

Elezi: Janë 149 vendvotime ku nuk përputhen votat e kandidatëve me votat e subjekteve politike

“Nga të gjeturat nga auditimi rezulton se janë 149 vendvotime tek të cilat nuk përputhen votat e kandidatëve me votat e subjekteve politike për shkak të gabimit teknik në formularin e rezultateve të subjekteve politike. Gjatë auditimit rezulton se 24 vendvotime kanë problem teknike të mospërputhjes së numrit të fletëvotimeve, mungesës të faqeve apo rezultatet janë të paqarta. Nga të gjeturat nga auditimi rezulton se 81 vendvotime në këto vendvotime nuk ka vota tek subjekti politik por ka tek kandidati/kandidatët. Në 89 vendvotime, gjatë auditimit është verejtur se kandidati ka më shumë vota se subjekti politik. Në 187 vendvotime rezulton se kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik”, tha ai.

Elezi u shpreh optimist se brenda një jave do të përfundojë gjithë ky proces, derisa tha se menjëherë pas përfundimit të rinumërimit do të fillojë numërimi i votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Elezi: Brenda 1 jave të përfundojë procesi i rinumërimit të 530 vendvotimeve

“Po shpresojmë në opsionin më optimist që brenda një jave të arrijmë rinumërimin e këtyre 530 vendvotimeve. Varemi krejtësisht nga kapacitetet që janë këtu në QNR. I kemi diku 20-22 tavolina numërimi. Gjithashtu kohëzgjatja e numërimit të një kutie votimi varet nga pjesëmarrja e votuesve në atë vendvotim gjatë ditës së zgjedhjeve në atë... pas numërimit të këtyre vendvotimit do të numërohen votat me kusht dhe personat me nevojat e veçanta. Është faza e fundit të përgatitjes së atij procesi, do të punohet në atë drejtim. Derisa bëhet këtu rinumërimi i këtyre vendvotimeve, do të punohet që të jetë e gatshme pastaj fillimi i menjëhershme i votave me kusht dhe personave me nevoja të veçanta”, tha Elezi.

KQZ gjatë mbledhjes së sotme ka marrë vendim që dhe këto vendvotime të shkojnë në rinumërim, kurse vetëm pas pak ditësh përfundoi rinumërimi i 314 vendvotimeve të tjera për të cilat kishte dyshime

KQZ tregon kur fillon rinumërimi i 530 vendvotimeve

 Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se sot në ora 16:00 do të fillojë rinumërimi i 530 vendvotimeve për të cilat u vendos sot.

“Rinumërimi i 530 vendvotimeve, për të cilat vendosi KQZ-ja, do të fillojë sot (e enjte, 17 tetor) në orën 16:00”, ka njoftuar Elezi.

Sot në KQZ është vendosur që për shkak të manipulimeve të ndryshme nga komisionerë të subjekteve politike e në bazë të të dhënave të auditimit të publikuar nga QNR-ja në 530 vendvotime të rinumërohen votat.

Ky vendim u mor sot në një konferencë për media të drejtuar nga Valdete Daka, kryetarja e KQZ-së.

Derisa Burim Ahmetaj nga QNR-ja foli edhe për numërimin e votave të diasporës që ka përfunduar mbrëmë, ndërsa tha se janë në fazën e fundit që t’i hapet rrugë edhe numërimit të votave me kusht.

Sa u përket të gjeturave nga raporti i auditimit, ai prezantoi pesë rekomandime, me anë të të cilave KQZ-ja më pas votoi për rinumërim të votave.

“Rastet kur subjekti nuk ka vota, ndërsa kandidatët kanë dhe numri i tyre është 81. Gjithashtu, kemi raste kur kandidati për deputet ka më shumë vota se vetë subjekti e kjo është bërë në 89 vendvotime. Po ashtu, edhe kur të gjithë kandidatët brenda një subjekti kanë më shumë vota se vetë subjekti”.

Ahmetaj tha, gjithashtu, se kanë hasur edhe në raste kur ka më shumë fletëvotime sesa janë shënuar në formularët e rezultateve.

***

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka vendosur që të rinumërohen edhe 530 vendvotimeve.

Burim Ahmetaj nga Qendra për Numërim dhe Rezultate i ka dhënë pesë rekomandime Komisionit Qendror te Zgjedhjeve për rinumërim të 530 vendvotimeve.

"149 për shkak të materialit Zgjedhor. Numri i tyre është 149 dhe i keni të listuara komunat dhe vendvotimet. Kategori tjetër dhe për këto kategori tjera nevojitet edhe vendimmarrja e KQZ kategoria e formularëve  që  kanë probleme teknike, natyra e problemeve është se kanë munguar edhe faqet e formularëve dhe kemi raste kur nuk është përputhur numri i fletëvotimeve dhe atë të rezultateve. Kemi raste që formularët janë të shpërndarë qartë apo nuk është mbushur qartë të gjitha këto raste i kemi raste me probleme teknik, 24 prej tyre dhe rekomandojnë që këto raste të rinumërohen. Rastet tjera kur janë kur subjekti nuk ka vota kandidatët kanë vota, 81 vendvotime që të rekomandohen. Kategoria tjetër vetme një kandidat më shumë vota sesa subjekti 89 vendvotime të rinumërohen. Rekomandimi tjetër kur të gjithë kandidat brenda një subjekti kanë më shumë vota se gjithë subjekti 187 vendvotime që të rinumërojë, kà «to janë të gjeturat e auditimit", tha ai.

Adanan Rrustemi, anëtar i KQZ-së kërkoi që të ketë një rinumërim të pjesshëm sa i takon kutive të votimit.

Kurse, Ilir Gashi dhe Sami Hamiti thanë që më mirë është të bëhet rinumërimi i tërësishëm dhe të mos ketë arsyen subjektet politike apo kandidatët për t’u ankuar në PZAP.

Ndërsa, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se rinumërimi mund të fillojë nga sot, derisa iu ka bërë thirrje policisë dhe prokurorisë të jenë prezent në QNR dhe të marrin provat sepse në këto vendvotime që po rinumërohen janë bërë manipulime.

KQZ vendos për rinumërimin e vendvotimeve të tjera (Drejtpërdrejtë)

KQZ vendos për rinumërimin e vendvotimeve të tjera.

Mbi 500 vendvotime pritet të shkojnë në rinumërim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të vendosë sot për kërkesën e Qendrës për Numërim dhe Rezultate për rinumërim të vendvotimeve të tjera.

Burime të KosovaPress bëjnë të ditur se QNR do të kërkojë rinumërim të mbi 500 vendvotimeve, për çka pritet edhe miratimi nga ana e anëtarëve të KQZ-së.

Kujtojmë se të hënën ka përfunduar rinumërimi i 314 vendvotimeve.

Vendimi i KQZ-së për rinumërimin e këtyre 314 vendvotimeve erdhi po pas rekomandimeve të Qendrës së Numërimeve dhe Rezultateve, pas gjetjeve të cilat janë bërë në këtë qendër gjatë pranimit të materialit nga këto vendvotime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat