Vetëvendosje i përgjigjet deklaratave të Lutfi Hazirit: Ndaloje këtë gjuhë

Aktuale

Vetëvendosje i përgjigjet deklaratave të Lutfi Hazirit: Ndaloje këtë gjuhë

Më: 17 tetor 2019 Në ora: 13:29
Lutfi Haziri dhe Albin Kurti

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, mbrëmë dha kritika për zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se nuk u treguan burrëror, për t’u pozicionuar pas Vjosa Osmanit, si kryeministre e vendit.

Madje, Haziri shkoi edhe më tej, duke thënë se Osmani ka dalur më e votuar se sa kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Mirëpo, këto pretendime të Hazirit, po i kundërshton zyrtarja e lartë e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Në një përgjigje, Haxhiu e thotë me bindje se Albin Kurti, ashtu sikurse Lëvizja Vetëvendosje, kanë dalur fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Për Haxhiun, është e qartë që Kurti, është lideri më i votuar i atyre zgjedhjeve, teksa i dërgon porosi kryetarit të Gjilanit.

Për Hazirin, ajo kërkoi që ta ndalojë përdorimin e kësaj gjuhe teksa kërkon nga LDK që të jetë më konstruktive edhe para certifikimit të zgjedhje, kjo pasi që sipas saj, nuk ekziston asnjë mundësi e vetme që Vetëvendosje, mos të dalë subjekti i parë në zgjedhje.

Haxhiu foli edhe për krijimin e Grupeve Punues mes LVV-së dhe LDK-së, duke e konfirmuar se ende nuk ka pasur asnjë takim mes tyre, pavarësisht që janë bërë pothuajse një javë nga krijimi i tyre.

“Ju e dini që kemi pasur një proces zgjedhor, ku Lëvizja Vetëvendosje, ka dalur subjekti i parë në këtë proces zgjedhor. Kjo ka qenë e qartë që qytetarët e Kosovës, e duan Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin si kryeministër të vendit.

Ne menjëherë pas 6 tetorit kemi nisur përpjekjet tona për të pasur një bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike, ku kemi formuar dy grupe punuese. Nuk merrem me deklarimet e Lutfi Hazirit, pasi që ai nuk është pjesë e asnjë grupi punues, që është caktuar nga LDK. Për hir të së vërtetës ende nuk ka pasur asnjë takim mes grupeve punues, por ne cdo ditë po angazhohemi që të krijojmë mirëbesim me LDK-në.

E ftoj zotërin Haziri që ta ndalojë përdorimin e kësaj gjuhe, sepse tashmë qytetarët e kanë vendosur se cili subjekt ka përkrahje më të madhe.

Edhe unë sot e konfirmoj që edhe subjekti jonë, por edhe kandidati ynë, ka dalur me më shumë vota se secila parti tjetër në Kosovë, e secili kandidatë tjerë.

Pra, Albin Kurti, në këto zgjedhje ka marrë vota më shumë se secili kandidatë tjerë nga të gjitha partitë politike.

Por, edhe po mos të ishte kështu, e drejta kushtetuese, e shpjegon qartë që qeverinë ta formojë subjekti më i madh, qoftë edhe më një votë më shumë”, ka thënë Haxhiu.

Blic, ka kontaktuar edhe me profesorin universitar, Mazllum Baraliu, i cili i ka komentuar deklaratat e Lutfi Hazirit.

Ai ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk duhet të ketë dyshime për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), pasi që sipas tij LVV ka qenë shumë korrekte me ta gjatë gjithë kësaj kohe.

“Ai është paragjykim i tij, jo vetëm ai por edhe disa eksponent të LDK-së kanë dyshime për koalicionin me LVV, por nuk duhet jenë këto dyshime”, tha ai.

Baraliu tha se LDK-ja duhet të veprojë me ‘këmbë në tokë, e me arsye në kokë’ kur vije fjala tek bashkëpunimi me LVV-në, pasi që qytetarët më 6 tetor e kanë bërë zgjidhjen që këto dy parti të udhëheqin vendin.

“LVV është treguar shumë korrekte edhe në procesin e negociatave para zgjedhjeve dhe nuk duhet të kenë dyshime, me ‘këmbë në tokë e me arsye në kokë’ të dy palët nuk kanë zgjidhje tjetër dhe nuk duhet luajnë me besimin që kanë marrë nga qytetarët sepse është varianti i vetëm”, tha Baraliu.

Ai tha se asnjëra palë nga LDK e LVV nuk ka alternativë tjetër për bashkëpunim me subjektet tjera.

“Edhe kreu i PDK-së tha se nuk dëshiron të marrë pjesë në pushtet dhe nuk ka alternativë tjetër as nga LVV dhe LDK, është e vetmja zgjidhje, është zgjedhja e gjithë qytetarëve që këto dy subjekte ta realizojnë një qeverisje të mirë”, tha ai.

“Nuk është në rregull nga asnjëra palë, thonë se janë të barabartë në vota por nuk ka vota të barabarta, një votë më shumë është e shenjtë, nuk duhet kushtëzuar asnjëra-tjetrën por të kenë partneritet të plotë, që kur të dalin rezultatet sa më parë të bëhet qeveria dhe të mos kemi më vonesa të tjera”, shton Baraliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat