Kërkohet bashkëpunim rajonal në luftimin kundër trafikimit me njerëz - Bota Sot
Kërkohet bashkëpunim rajonal në luftimin kundër trafikimit me njerëz

Aktuale

Kërkohet bashkëpunim rajonal në luftimin kundër trafikimit me njerëz

Më: 18 tetor 2019 Në ora: 11:55
Pamje nga takimi

Qeveria e Kosovës ka bërë progres në luftën kundër trafikimit me njerëz, ndërsa kërkohet bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar në luftimin e kësaj dukurie.

Kështu u tha në Ditën e Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit me Njerëz, me rastin e lansimit të fushatës një mujore “Mos hesht” nga Ministria e Punëve të Brendshme, fushatë kjo që do të shërbejë si thirrje për një qytetar aktiv, i cili në masë të madhe do të ndihmojë organet shtetërore.

Me këtë rast, përfaqësuesi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, John Bush vlerësoi se Qeveria e Kosovës ka bërë progres në parandalimin e trafikimit me njerëz.

Bush: Qeveria e Kosovës ka bërë progres në parandalimin e trafikimit me njerëz

“Është një dëshmi  për angazhimin e Kosovës rreth kësaj çështje , Qeveria e Kosovës ka bërë përparim gjatë vitit të kaluar dhe ka vazhduar të bëjë progres për të parandaluar trafikimin. Si përpjekje ishin së pari rishikimi I kodit penal  për të klasifikuar ose riklasifikuar  prostituiconin e detyruar si vepër penale, pastaj së dyti, emërimi i prokurorit rajonal për trafikim në Kosovën Perëndimore, kryerjen e përbashkët të hetimeve dhe inspektimit, dhe përveç kësaj, gjyqësori ka zvogëluar regjistrin e zi si dhe Gjykata Supreme ka adoptuar  udhëzime të reja për dënime rreth trafikimit”, tha Bush.

Ai dha edhe rekomandimet për Qeverinë e Kosovës, me ç’rast tha se kjo e fundit duhet të vendosë një fond të qëndrueshëm përmes buxhetit për një organizatë jo-qeveritare për t’i strehuar viktimat e trafikimit, të punohet me autoritetet lokale për mbrojtjen e viktimave në komunat veriore, të ofrohet mbështetje profesionale e gjithëpërfshirëse në trajnimin dhe riintegrimin për viktimat si dhe të krijohet një bazë e të dhënave që zbërthen statistikat rreth trafikimit, ku çdokush mund ta shoh fushëveprimin e problemit.

Në emër të Qeverisë të Kosovës, këshilltari i kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, Hysen Gashi tha se në luftën kundër trafikimit me njerëz duhet të angazhohen të gjithë mekanizmat shtetëror dhe të gjithë qytetarët.

Ai kërkoi nga organet kompetente të marrin masat më rigoroze në luftimin e kësaj dukurie.

Gashi: Nevojitet bashkëpunim rajonal në luftën kundër trafikimit me njerëz

“Ajo që është me rëndësi është që edhe ne si shtet duhet të kemi një bashkëpunim të vazhdueshëm me organizmat rajonal, ndërkombëtar që mos ta lëmë këtë dukuri që të rritet në vazhdimësi, por të japim ndihmën tonë që çdo institucion shtetëror të jetë i gatshëm të ndihmojë policinë, prokurorinë, gjyqësorin dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Arsimit”, u shpreh ai.

Ndërsa detaje të fushatës “Mos hesht” dha ministri në largim i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, i cili bëri të ditur se në kuadër të kësaj fushate do të ketë aktivitete të shumta, teksa theksoi se në dizajnimin e saj kanë marrë në konsideratë kategori dhe faktorë të ndryshëm.

Mustafa: Fushata “Mos hesht” synon parandalimin dhe luftën kundër trafikantëve

“Ajo që vazhdimisht synojmë dhe do të potencojmë në këtë fushatë janë: fuqizimi i mekanizmave për parandalimin, identifikimin dhe luftën kundër trafikantëve, ngritja e kapaciteteve në zbatimin dhe zbulimin e ndjekjes së trafikantëve, fuqizimi i bashkëpunimit vendor dhe ndërkombëtar për një partneritet të fuqizuar ndaj trafikimit me njerëz”, tha ai.

E zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se Policia e Kosovës e ka prioritet parandalimin e trafikimit me njerëz.

Gjendja sociale dhe ekonomike e rëndë, moskujdesi i duhur prindëror dhe kujdestar sidomos ndaj fëmijëve, braktisja e shkollimit, mungesa e njohurive ndaj pasojave të trafikimit sipas Mehmetit janë faktorët kryesor të trafikimit me njerëz.

Mehmeti: Janar – shtator 2019, Policia e Kosovës ka arrestuar 152 persona për trafikim me njerëz

Video 

“Duke ju referuar periudhës janar - shtator 2019, Policia e Kosovës ka iniciuar 106 raste për hetim për trafikim me qenie njerëzore. Po ashtu, janë arrestuar 152 persona dhe janë identifikuar 15 viktima të trafikimit”, bëri të ditur ai.

Me qëllim të luftimit të kësaj dukurie negative, Mehmeti bëri të ditur se sot në të gjitha xhamitë e Kosovës do të ligjërohet për rëndësinë e luftimit të trafikimit me njerëz.

Basri Kastrati nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, tha se Kosova ka bërë progres në luftimin e trafikimit me njerëz.

Siç tha ai, në kuadër të të gjitha masave që janë marrë, është shtuar edhe periudha e dënimit për rastet e trafikimit, ku ka pasur dënime prej 5-9 vite.

Edhe Besnik Ramosaj nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës u shpreh se krahasuar me vitin e kaluar, në 9 mujorin e parë të këtij viti, vërehet se ka pasur progres në trajtimin e rasteve.

Ndërsa Isak Shabani nga Ministria e Shëndetësisë tha se synojnë që të gjitha viktimave të trafikimit tu ofrojnë trajtim profesional dhe shërbime pa pagesë.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat