Maliqi: Qëndrimet e Macronit ndaj Shqipërisë dhe Kosovës kundërmojnë ksenofobi

Aktuale

Maliqi: Qëndrimet e Macronit ndaj Shqipërisë dhe Kosovës kundërmojnë ksenofobi

Më: 18 tetor 2019 Në ora: 23:28
Agon Maliqi

Analisti politik, Agon Maliqi, ka thënë se qëndrimet e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe të Holandës ndaj Shqipërisë (dhe Kosovës për vizat) kundërmojnë ksenofobi.

Sipas tij, me humbjen e perspektivës europiane për Ballkanin, BE-ja e ka humbur peshën si ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi dhe vetë dialogu e ka humbur kuptimin.

Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të tij:

E patëm sot një diskutim interesant për dialogun Kosovë-Serbi në Forumin e Sigurisë në Beograd. Një përmbledhje e qëndrimeve të cilat arrita t’i përçoj.

Me vendimin e djeshëm për moshapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, Franca efektivisht çoi mesazh se dëshiron t’ia vejë drynin procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE. Macron po e shfrytëzon largimin e Britanisë prej BE dhe dobësimin e Merkelit për ta marrë timonin e liderit europian. Ndaj rajonit tonë ai po sillet si një Trump ndërsa qëndrimet e tij dhe të Holandës ndaj Shqipërisë (dhe Kosovës për vizat) kundërmojnë ksenofobi. Në kryeqytetet e Europës tashmë po diskutohen seriozisht propozime që Ballkani në të ardhmen të synojë të bëhet pjesë vetëm e tregut të përbashkët.

Me humbjen e perspektivës europiane për Ballkanin, BE-ja e ka humbur peshën si ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi dhe vetë dialogu e ka humbur kuptimin. Serbia pa perspektivë europiane nuk ka kurrfarë presioni për të na njohur, ndërsa në dialog të tillë Kosova nuk ka pse futet. Kësisoj është zbehur edhe fuqia përcaktuese e Gjermanisë në rajon. E vetmja forcë që mund të bëjë diçka janë SHBA-të, por levat e saj për ta bindur Serbinë për të na njohur janë të paqarta. Me shumë gjasë zgjidhjet nuk mund t’i presim nga jashtë, por duhet t’i gjejmë vetë si rajon. Jemi vetë!

Por vetë ne jemi shumë të armiqësuar dhe të përçarë si rajon dhe nuk jemi gati ta arrijmë paqen përfundimtare. Prandaj po futemi në një periudhë disavjeçare të pasigurisë ku në vend të kërkimit të zgjidhjeve duhet të mundohemi të mos e lejojmë situatën të eskalojë drejt tensioneve. Shumë palë të jashtme si Rusia mund t’i kthejnë sytë drejt destabilizimit të Ballkanit pas suksesit në Ukrainë dhe Siri. Në këtë situatë, militarizimi në rritje i Serbisë, mosnjohja e Kosovës prej anës së saj dhe mungesa e garancisë së plotë të sigurisë (përkundër prezencës së NATO-s), përbëjnë shqetësim dhe kërcënim.

Kësaj situate Kosova, si shtet dhe entitet tashmë i konsoliduar së brendshmi por i bllokuar ndërkombëtarisht, do të mund t’i përgjigjet duke u rreshtuar më fort pas partnerëve kryesorë të sigurisë (veçanërisht SHBA-ve dhe Britanisë) si dhe duke i thelluar/strukturuar raportet me Shqipërinë në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme. Në kontekst të mungesës së perspektivës europiane për këtë të fundit, nuk përjashtohet gjatë viteve të ardhshme ndonjë formë e konfederatës.

Në kontekst të politikës së brendshme, përpjekjet për ta shmangur Albin Kurtin si kryeministër do të ishin jo vetëm jodemokratike dhe destabilizuese, por edhe politikisht kundërproduktive për ata që e synojnë. Për Kosovën dialogu nuk është e vetmja temë me rëndësi: votuesit kanë dhënë mandat parimisht për agjendë zhvillimore dhe për sundimin e ligjit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat