‘Veterani’ i LDK-së mbetet pa ulëse në Kuvend – A ishte rasti i fajdeve pse ai nuk mori besimin e qytetarëve?

Aktuale

‘Veterani’ i LDK-së mbetet pa ulëse në Kuvend – A ishte rasti i fajdeve pse ai nuk mori besimin e qytetarëve?

Më: 20 tetor 2019 Në ora: 22:15
Ismet Beqiri

‘Veteranin’ e Kuvendit të Kosovës, Ismet Beqirin, nuk do ta shihni më në ulësen e deputetit.

Vendimi i popullit në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit ka vendosur që Beqirin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ta lë jashtë dyerve të kuvendit, shkruan Insajderi.

Ai nuk ia ka dalë t’i marrë votat e mjaftueshme për mandatin e radhës.

Ismet Beqiri, që ishte katër herë radhazi pjesë e Kuvendit të Kosovës, në legjislaturat III, IV, V dhe VI, tani ka marrë afro 550 vota, të cilat nuk ia sigurojnë një ulëse në Kuvend.

Beqiri, mban pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa gjatë këtij viti ishte akuzuar për rastin ‘Spitali”, që bëhej fjalë për ndërtimin e një objekti të Qendrës së Kardiokirurgjisë në Prishtinë dhe përfshirjen në një grup fajdexhinjsh.

Akuzat se kishte lidhje me grupin e akuzuar për fajde, Beqiri i kishte hedhur poshtë kategorikisht me arsyetimin se nuk i njeh fare.

Kritik e bukur i ashpër, Ismet Beqiri, ishte shprehur vite më parë ndaj Partisë Demokratike të Kosovës e kryetarit të atëhershëm të saj, Hashim Thaçit.

Beqiri në një intervistë televizive kishte ‘vjellë vrer’ ndaj partisë rivale ku kishte deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka assesi mundësi të bëjë koalicion me PDK-në.

“Nuk na vyen Qeveria, me udhëheqë qeverinë nëse veç pak iu përngjajmë këtyre që janë aktualisht. Gjithmonë pa PDK-në, janë zhyt me të këqija. E keqja më e madhe e këtij vendi do t’i bëhej nëse bëhet bashkë LDK e PDK”, kishte deklaruar Beqiri.

E pas kësaj, ai ishte treguar ‘qengj’ në veprime.

Lidhja Demokratike e Kosovës kishte bërë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës po atë vit me arsyetimin se koalicioni po bëhej ‘për të mirën e vendit’.

Ndonëse media, ka provuar disa ditë radhazi që të kontaktojë me Beqirin, për ta pyetur se pse ai ka mbetur jashtë Kuvendit të Kosovës, ai nuk u është përgjigjur thirrjeve.

Ish-deputetit të LDK-së, tashmë i mbetet ta bëjë vetëm punën e juristit, gjë që për të cilën është shkolluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat