Ky është lajmi i fundit nga NISMA, zbulojnë nëse do ta kalojë pragun

Aktuale

Ky është lajmi i fundit nga NISMA, zbulojnë nëse do ta kalojë pragun

Më: 21 tetor 2019 Në ora: 20:53
Limaj dhe Pacolli

Koalicioni NISMA-AKR-PD ende nuk ka arritur të kalojë pragun zgjedhor, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilat nuk përfshijnë votat me kusht, me postë dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

Në bazë të votave të numëruara deri tash ky koalicion në zgjedhjet e 6 tetorit ka marrë 39 mijë e 495 vota apo 4.96%.

Pavarësisht kësaj, NISMA po shihet e përshtatshme për të formuar qeverinë e ardhshme të Kosovës. Ditë më parë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova në një deklaratë të dhënë për media ka thënë se nëse NISMA e kalon pragun atëherë LDK është e gatshme për bashkëpunim me këtë parti.

Këtë deklaratë të LDK-së e kanë mirëpritur nga Nisma Socialdemokrate. Fazli Hoxha anëtar i kryesisë së NISMA-s, tha për Telegrafin se partia e tij së bashku me partnerët e saj AKR dhe PD do ta kalojnë pragun zgjedhor.

“Sa i përket pragut zgjedhor NISMA Socialdemokrate me partnerët e saj AKR dhe PD do ta kalojë atë, duke u bazuar në faktet që po dalin se ka pasur manipulim me vota, ku subjekti ynë është dëmtuar në masë të madhe. Tash po shihet se pragu nuk është problem. Sipas informatave që kemi NISMA e ka kaluar pragun por kjo pritet të konfirmohet zyrtarisht nga KQZ-ja, me rastin e shpalljes së rezultateve përfundimtare. Ne si NISMË Socialdemokrate përshëndesim çdo deklaratë që vije nga zyrtarët e LDK-së, të cilët NISMËN e shohin si partnere për qeverinë e ardhshme”, është shprehur Hoxha.

Hoxha tregoi nëse kanë zhvilluar ndonjë takim deri tani me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Deri më tani nuk kemi pasur bisedime më LDK-në, për formimin e Qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Por sukseset e NISMË-s në Qeverinë e fundit janë arsye e LDK-së që ne të jemi pjesë e qeverisë së re. Sipas mendimit tim, NISMA do të jetë pjesë e Qeverisë së re, por këtë vendim do ta marrin organet e partisë”, theksoi ai.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës deri tani kanë zhvilluar dy takime, fillimisht janë takuar kryetari i VV-së, Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ku edhe janë pajtuar që të vazhdojnë bisedimet rreth arritjes së një marrëveshje për formimin e Qeverisë së re.

Pas kësaj, ka ndodhur edhe takimi i dy grupeve punuese të VV-së dhe LDK-së, ku u bë e ditur se të dyja grupet janë dakorduar lidhur me përmbajtjen dhe parimet e marrëveshjes.

Ndryshe, në zgjedhjet parlamentare të cilat janë mbajtur më 6 tetor kanë votuar 812 mijë e 49 votues apo 44.18 për qind.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, partia e parë është Vetëvendosje me 25.50 %, pas saj radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.83 %, kurse Partia Demokratike e Kosovës radhitet e treta me 21.25%. Ndërsa koalicioni AAK-PSD në zgjedhjet e 6 tetorit ka marrë 11.57 për qind, kurse koalicioni NISMA-AKR ende nuk e ka kaluar pragun zgjedhor.

Ndërkohë, në Qendrën për Numërim dhe Rezultate është duke vazhduar rinumërimi i 530 vendvotimeve. Rinumërimi i këtyre vendvotimeve po bëhet pas vendimit të KQZ-së, pas rekomandimeve të QNR-së, se në këto vendvotime ka pasur kryesisht probleme teknike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat