Gënjeshtra e Prokurorisë për raportin e vdekjes së Astrit Deharit

Aktuale

Gënjeshtra e Prokurorisë për raportin e vdekjes së Astrit Deharit

Më: 23 tetor 2019 Në ora: 12:47
Astrit Dehari

Të premten, një ditë pasi thirri një konferencë për ta prezantuar zarfin me raportin për vdekjen e Astrit Deharit, kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala kishte refuzuar që t’ia jepte një kopje të tij familjes Dehari.

Pas një takimi rreth një orësh me prindërit e Astrit Deharit, Shala kishte dalë para mediave duke pretenduar se raporti nuk mund t’i jepet familjes pa e përkthyer atë në gjuhën shqipe.

Sot janë bërë 6 ditë prej 18 tetorit kur kryeprokurori Shala tha se procesi i përkthimit të këtij raporti do të bëhej urgjentisht dhe do të përfundonte brenda dy apo tre ditësh, shkruan Gazeta Sinjali.

“Pritet shumë shpejt, në mënyrë urgjente, të përkthehet në gjuhën shqipe dhe në momentin e përkthimit ne do t’i japim qasje familjes Dehari dhe opinionit publik në të dy dokumentet: atë të përkthyer dhe atë në gjuhën origjinale”, kishte thënë mes tjerash Shala.

“Jemi shumë transparent dhe jemi të interesuar që opinioni publik dhe familja Dehari të njoftohen detajisht për çdo veprim procedural në këtë çështje”, kishte shtuar ai. Ndërsa në një prononcim tjetër, pasi u pyet për raportin, Shala përsëriti se “në fillimin e javës do të bëhet publik”.

Kur ka kaluar dyfishi i kohës e cila nevojitej për ta përkthyer raportin, Prokuroria Themelore e Prizrenit i ka ndryshuar fjalët. Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, Prokuroria ka thënë se raporti do të përkthehet dhe publikohet brenda kësaj jave.

“Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se brenda kësaj jave pritet të përkthehet dhe të publikohet raporti për rastin e Astrit Deharit. Andaj, për çdo eventualitet, do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Gazetën Sinjali.

Prindërit e Astrit Deharit, në shkurt të vitit 2017 kishin kërkuar që ekspertizë nga Zvicra për vdekjen e djalit të tyre. Më 17 tetor, ekspertiza e pavarur ndërkombëtare nga Qendra Spitalore Universitare në Lozanë të Zvicrës, e kërkuar nga familja Dehari dhe e lejuar nga Qeveria e Kosovës, ka mbërritur në Kosovë.

Për arritjen e këtij raporti, institucionet e drejtësisë nuk e kanë njoftuar zyrtarisht familjen Dehari. Babai i Astrit Deharit, Avni Dehari, ka akuzuar institucionet e Kosovës për mostransparencë, duke e cilësuar këtë si “vrasje e dytë e Astritit”.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, kishte vdekur tragjikisht më 5 nëntor në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Edhe 3 vjet pas, jeta e Astrit Deharit që mbaroi atë ditë dhe vdekja e tij e trishtë kanë lënë hije të madhe dyshimi mbi gjithë atë çfarë ndodhi.

Dyshimi i madh për rrethanat e vdekjes së tij nisi qysh në ditën kur ai u gjet i vdekur në qeli. Policia, Prokuroria e Shërbimi Korrektues kishin lëshuar deklarata kundërthënëse lidhur me rrethanat e vdekjes së tij. Engma që krijuan këto deklarata vazhdon të qëndrojë ende e pazbërthyer plotësisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat