Hapet punëtoria “Made in Kosova”

Aktuale

Hapet punëtoria “Made in Kosova”

Më: 23 tetor 2019 Në ora: 13:42
Punëtoria Made in Kosova

Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosova kanë inauguruar sot punëtorinë “Made in Kosova”, e cila ka për qëllim krijimin e hapësirave që mundëson socializmin dhe edukimin e të rinjve për orientimin në karrierë.

Punëtoria “Made in Kosova” synon të arrijë objektivat kryesore si krijimin dhe ngritjen e vetëbesimit si dhe marrjen e përgjegjësive te të rinjtë, të mësuarit mbi njohuritë bazike teknike, nxitjen e kreativitetit, mendimin inovativ dhe zgjidhjen e problemeve, informimin dhe përgatitjen për orientimin në karrierë në të ardhmen.

Drejtoresha nacionale e Fshatit Sos, Nezahat Salihu, tha punëtoria “Made in Kosova” iu mundëson të rinjve të zhvillojnë pjesë praktike dhe të punojnë shumë gjëra.

Salihu: Përmes këtij projekti ne synojmë të rrisin vetëbesimin e fëmijëve

“Ky projekt do të na ndihmojë shumë për mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve tanë. Ne si Sos Fshatra të fëmijëve, në bashkëpunim me Klubin e Prodhuesve vendorë kemi bërë hapjen e këtij projekti, i cili ka të bëjë me hapjen e tri klasave për zhvillim profesional të fëmijëve në klasa në punim të drurit, punim në 3D dhe në klasat e metalit. Përmes këtij projekti synojmë të rrisim vetëbesimin e të rinjve tanë, t’i mësojmë në informatikë dhe baza teknike bazike, të nxisim të menduarit informativ dhe t’i përgatisim të rinjtë për vendimmarrje dhe zgjedhje të karrierës”, tha Salihu.

Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, u shpreh i lumtur që fëmijët e Fshatit Sos do të kenë një punëtori ku do të mund të punojnë dhe të përgatiten për të ardhmen e tyre.

Panxha: Pas një pune 1 vjeçare, hapet punëtoria ne Fshatin Sos “Made in Kosova”

“Për neve është shumë me rëndësi të falënderojmë edhe partnerin tonë nga Turqia që na ka mundësuar sjelljen e pajisjeve, Fahredin Gynel, i cili është me prejardhje nga Kosova. Dëshira e tij ka qenë që t’i sjellë këto pajisje në një vend ku të rinjtë do të mësojnë. Ne e kemi sugjeruar Fshatin Sos dhe bashkërisht kemi punuar me palët që ky projekt të realizohet, dhe sot po ndihemi shumë mirë që pas një periudhe 1-vjeçare që kemi punuar, trajnimin e stafit po fillojmë me punëtorinë “Made in Kosova”, dhe shpresojmë që këta të rijnë do të punojnë edhe në fabrikat tona në të ardhmen, të kenë një profesion që iu siguron të ardhura dhe mburren me punën që bëjnë për zhvillimin e Kosovës”, tha Panxha.

Ndërsa, Fejzullah Mustafa nga Klubi i Prodhuesve tha se kjo punëtori i mëson fëmijët që të aftësohen në drejtime të ndryshme dhe të përfitojnë shprehi pune, e cila iu nevojitët për të ardhmen.

Mustafa: Të rinjtë do të aftësohen në një drejtim të ri

“Sos Fshati është me të vërtetë një punëtori “Made in Kosova”, që ia vlen që të rinjtë të aftësohen në një drejtim që nuk e kanë pasur deri më tash. Është me rëndësi që fëmijëve t’iu ofrohet një punë që të jetë si shprehi edhe për të ardhmen, dhe si klub i prodhuesve do të kemi edhe ide, projekte të tjera. Unë i përgëzoj edhe njëherë dhe iu dëshiroj punë të mbarë të rinjve”, tha Mustafa.

Ndryshe, Klubi i Prodhuesve në bashkëpunim me fondacionin ERTEV është angazhuar që përmes punëtorisë “Made in Kosova”, të ndihmojë fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe në rrezik të cilët përkrahen nga programet e SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat