Arrestimi i serbit për krime lufte në Emshir, çfarë thonë banorët e kësaj lagjeje

Aktuale

Arrestimi i serbit për krime lufte në Emshir, çfarë thonë banorët e kësaj lagjeje

Më: 23 tetor 2019 Në ora: 17:47
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka arrestuar para dy ditësh në pikën kalimtare në Merdarë një person të dyshuar për krime lufte ndaj shoqërisë civile në majin e vitit 1999 në lagjen Emshir në Prishtinë. Ndaj të dyshuarit Nenad Arsic, sot është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Media ka qëndruar të mërkurën në Emshir, nga ku sjell rrëfimet e banorëve të kësaj lagjeje për përjetimet e tyre gjatë luftës

Kanë kaluar 20 vjet nga lufta dhe gjenocidi i forcave serbe në Kosovë, por kujtimet e qytetarëve të cilët e kanë përjetuar atë, ende janë të freskëta.

Arrestimi i Nenad Arsic, të dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile gjatë vitit 1999 në Prishtinë, ua rikthen banorëve të lagjes Emshir edhe një herë kujtimet e rënda të luftës.

Nuk ishte larguar nga shtëpia e tij në Emshir edhe kur toka dridhej nga bombardimet e ushtrisë serbe në Prishtinë. Bashkë me gruan e fëmijët, Ahmet Mekolli, kishte qëndruar në shtëpinë një katesh në të cilën kishte strehuar edhe shumë refugjatë gjatë luftës.

Ai ka treguar përjetimet e tij gjatë ditëve të tmerrit, rrahjen e maltretimin nga forcat serbe, e deri tek sofra e shtruar me bukë, rreth së cilës uleshin me frikë.

“Jetojmë në Emshir prej vitit 1982. Gjatë kohës së luftës kemi qëndru në shtëpi tërë kohën, vështirësitë e luftës i kemi përjetu këtu. Arsyeja që s’jemi largu ka qenë se çdo herë kemi shpresu që po bëhet mirë e nuk po vjen deri te maltretimet, por për fat të keq edhe vetë i kam përjetu ato maltretime. Kjo ka ndodhë tre apo katër ditë pas bombardimeve të NATO’s”, ka thënë Makolli.

Mekolli tregon si është rrahur nga policët serbë, në ditët e bombardimit të forcave të NATO’s në Kosovë.

“Më kanë marrë me m’çu në stacion, para se me mçu atje më kanë maltretu shumë. Kur ka fillu alarmi i bombardimeve na kanë çu në një strehimore, e prej aty na kanë liru. Unë i kam pasë brinjët e thyer, menxi kam qëndru në këmbë, por kam ardhë në shtëpi vetë. Aty e kam pasë frikën më të madhe, deri sa kam shku në shtëpi. Kanë ardhë edhe nëpër shtëpia na kanë maltretu, kanë kërku para. Edhe fëmijët i kanë maltretu, nuk kanë guxu as me qajt. Një kojshi e kanë rrah shumë, edhe nofullën e dhëmbët ia kanë thy. Kemi qëndru me frikë, gjatë tërë kohës kemi pritë kur kanë me hy në shtëpi e me na vra të gjithëve. Gruaja nganjëherë e shtronte sofrën e i ulte fëmijët rreth saj, thoshte se ndoshta kur t’i shohin duke ngrënë bukë nuk do t’i ngucin”, rrëfen Mekolli.

Ai ka treguar se ka dëgjuar për arrestimin e serbit të dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile në lagjen ku ai jeton, mirëpo thotë se nuk i mbanë në mend emrat e policëve serbë e as fytyrat.

E përjetimet e vitit 1999 i ka ndarë me Express edhe Beqir Igrishta, banor i lagjes Emshir. Ai ka treguar se si forcat serbe kanë bërë provokime të ndryshme gjatë tërë kohës sa kanë qëndruar në lagjen e tyre.

“Kur kanë hy policia te një kojshi, e kanë rrahë deri sa e kanë përgjakë. Më pas kanë hy në shtëpinë tonë, gruan nuk e lanë me hy në shtëpi, i thanë me nejt në korridor. Tre policë kanë hy tek unë, më provokojshin. Me automata rrishin, njëri prej policëve e foli një fjalë të pahijshme, mua më shkoi buza në gaz, ai u çu me m’ra, më tha pse po qeshë. Një kojshi ka qenë i Drenicës, kanë hy në dyqan të tij, e kanë rreh e kanë ba llom”, ka treguar Igrishta.

Igrishta ka thënë se nuk e njeh personin e arrestuar, por shpreson që ata që kanë kryer krime në Kosovë të dalin para drejtësisë. 

“Jo nuk e njoh me emër, por shumë mirë me mujt me i arrestu krejt”, ka thënë Igrishta.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special të mërkurën ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Nenad Arsic, nën dyshimin e  bazuar se në bashkëkryerje me persona të tjerë ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës civile.

Gjykata ka bërë të ditur përmes një komunikate se pasi që i ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës dhe i ka dëgjuar pretendimet e palëve ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit është e bazuar.

“Gjykata, vlerësoi se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ngase ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri i ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet. I pandehuri N.A është shtetas edhe i Serbisë dhe ka vendbanim jashtë Kosovës, respektivisht në qytetin e Nishit në Republikën e Serbisë dhe ekziston rreziku real se i njëjti mundë apo do t`i shmanget ndjekjes penale”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat