Hajrizi: Gjykata Kushtetuese do të mbetet gjithmonë në krye të detyrës

Aktuale

Hajrizi: Gjykata Kushtetuese do të mbetet gjithmonë në krye të detyrës

Më: 23 tetor 2019 Në ora: 19:45
Foto

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shënuar sonte jubileun e dhjetë të Vitit Gjyqësor me një ceremoni solemne, nga ku u tha se kjo gjykatë do të mbetet gjithmonë në krye të detyrës dhe e gatshme të jetësojë juridiksionin e saj.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, ka folur për sfidat që kanë pasur qysh nga fillimi i punës e deri te shënimi i 10-vjetorit.

Ajo tha se Kushtetuesja do të vazhdojë të mbetet garantues i mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe vlerave themelore të mishëruara në aktin më të lartë juridik të vendit, me integritet profesional dhe pavarësi të plotë vendimmarrëse.

Hajrizi: Gjykata Kushtetuese do të mbetet gjithmonë në krye të detyrës

"Sot e them me krenari se për dallim nga vitet e para pas themelimit, Gjykata Kushtetuese tani është dukshëm më e përgatitur për atë që do të na e sjellë e ardhmja. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për sfidat nëpër te cilat po kalon aktualisht vendi ynë, si në aspektin e integrimeve euro-atlantike, e po ashtu edhe në procesin e dialogut drejtë një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Republikën e Serbisë. Unë ju siguroj se në të gjitha këto procese, Gjykata Kushtetuese do të mbetet gjithmonë në krye të detyrës dhe e gatshme të jetësojë juridiksionin e saj. Gjykata Kushtetuese do të mbetet garantues i mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe vlerave themelore të mishëruara në Kushtetutën tonë, me integritet profesional dhe pavarësi të plotë vendimmarrëse", tha ajo.

Hajrizi tha se janë një sërë gjykimesh të rëndësishme të Gjykatës Kushtetuese, që sipas saj, dëshmojnë për rolin kyç që ajo ka luajtur në përforcimin e parimit të sundimit të ligjit dhe në zhvillimin e demokracisë gjatë dekadës së fundit.

Hajrizi: Gjykata fuqishëm përkrah dhe mbron lirinë e shprehjes

"Gjatë këtyre viteve, jo rrallë Gjykata është bërë pjesë e debateve politike, e i është nënshtruar akuzave e deklaratave të padrejta dhe të pasakta për vendimmarrjen tonë. Thënë këtë dhe duke pasur parasysh që Gjykata fuqishëm përkrah dhe mbron lirinë e shprehjes si një liri themelore e garantuar në kushtetutën tonë, unë shpresoj fuqishëm se teksa po hyjmë në dekadën e dytë të punës, debatet rreth Gjykatës dhe vendimeve të saj do të riorientohen më shumë rreth diskutimit të arsyetimeve profesionale dhe të argumentuara nga Gjykata, në mënyrë që qytetarët të informohen drejt dhe të vazhdojnë të besojnë në pavarësinë e gjyqësisë kushtetuese të Kosovës", tha ajo.

Në shënimin e 10-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese mori pjesë edhe Përfaqësuesja e Republikës së Irlandës në Komisionin e Venecias Grainne McMorrow, e cila tha se ky komision ka hedhur poshtë konceptet e vjetra rreth sundimit të ligjit.

McMorrow: Komisioni i Venecias ka hedhur poshtë konceptet e vjetra rreth sundimit të ligjit

"Komisioni i Venecias e ka hedhur poshtë konceptet e vjetra rreth sundimit të ligjit, ku thuhej se vetëm veprimet e qeverisë duhet të përkrahen nga ligji. Ky kuptim i sundimit të ligjit do të reduktohej vetëm në formulë, do të thotë sundimi i ligjit sunduar nga ligji dhe ne mendojmë se kjo nuk mund të kontribuojë në keqpërdorimin e fuqisë apo autoritetit. Sundimi i ligjit përligjet edhe me dy vlera të tjera qendrore të këshillit të Evropës, së pari mbrojtja individuale e të drejtave të njeriut nga përzierjet arbitrare dhe e dyta promovimi i demokracisë kyçja e njerëzve në vendimmarrje në shoqëri. Duke ofruar mbrojtje pakicave nga sundimi i shumicës dhe për të siguruar sundimin e ligjit, kjo është detyrë e Gjykatës Kushtetuese, e qeverisë dhe zbatimi i ligjit duhet të shkojë në këtë vijë që t'i ikim diskriminimit të mundshëm", tha ajo.

McMorrow u shpreh se definimi i sundimit të ligjit ka qenë një brengë ndërkombëtare dhe për këtë ajo tha se Komisioni i Venecias mendon që të bëjë një listë kontrolluese që shpjegon sundimin e ligjit në mënyrë më të saktë dhe më praktike.

Element qendror i kësaj liste, sipas saj, është nevoja për legalitet, siguri legale, barazi ndaj ligjit dhe qasje ndaj drejtësisë.

Ndërsa, ish-gjyqtarja ndërkombëtare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Snezhana Botusharova, ka përmendur disa nga vështirësitë që kanë hasur në fillimin e punës, por që pas 10 vjetësh ajo tha se Kosova duhet të jetë krenare me Gjykatën Kushtetuese të saj.

Botusharova: Synim kishim ta bëjmë Gjykatën Kushtetuese funksionale

"6 gjyqtarë vendas dhe tre gjyqtarë ndërkombëtarë të zgjedhur dhe të emëruar sipas Kushtetutës së Kosovës, pra edhe pse vinim me përvoja të ndryshme, por të gjithë ishim të bashkuar me zotimin që ta bëjmë Gjykatën Kushtetuese të shtetit të ri ta bënim funksionale dhe të ishte Gjykatë që funksiononte. Pra, të ishte gardian i Kushtetutës, i vlerave kushtetuese, i të drejtave të njeriut. Ne e ndjenim si zotim për të dhënë imputin tonë që të jetë në nivelin më të lartë ndërkombëtar, pra në fushën e të drejtave të njeriut dhe të gjyqësisë kushtetuese”, tha ajo.

Me rastin e shënimit të 10-vjetorit të punës së Gjykatës Kushtetuese, nesër do të mbahet Konferenca ndërkombëtare me temën “Sigurimi i sundimit të ligjit dhe i të drejtave të njeriut përmes mekanizmave të drejtësisë kushtetuese: Sfidat e shekullit 21”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat