KQZ’së i duhen 2 ditë për t’i verifikuar zarfet me fletëvotime të diasporës dhe 1 ditë tjetër për t’i numëruar

Aktuale

KQZ’së i duhen 2 ditë për t’i verifikuar zarfet me fletëvotime të diasporës dhe 1 ditë tjetër për t’i numëruar

Më: 31 tetor 2019 Në ora: 20:32
Valmir Elezi

Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë se është e domosdoshme që të bëhet shqyrtimi dhe vlerësimi i zarfeve të ardhura nga diaspora.

Gjykata Supreme e Kosovës, pas një ankese nga Lëvizja Vetëvendosje, ka vendosur që mbi 4 mijë vota të ardhura nga mërgata të numërohen.

“Para fillimit të numërimit të fletëvotimeve të ardhura nga jashtë vendit duhet të bëhet vlerësimi i pakove. Në mënyrë që të mund të fillojmë me procesin e numërimit të tyre”, ka thënë Valmir Elezi.

“Vlerësimi ka të bëjë me vërtetimin nëse është dërguar nga votuesi i cili është regjistruar suksesshëm nga votuesi që ka votuar nga jashtë vendit. Pasi të përfundohet ky vlerësim do të dimë numrin e fletëvotimeve të aprovuar dhe se sa është numri i atyre që refuzohen”

Elezi tregon edhe kohën se sa do të zgjasë i gjithë procesi.

“Besojmë që së paku dy ditë na duhet kohë të bëhet procesi i vlerësimit të fletëvotimeve, në këtë mënyrë mund t’i hapet rruga numërimit i cili mund të kryhet brenda një dite”, shton Elezi.

Ndryshe, sot kishte pasur përplasje në mbledhjen e KQZ’së ku është diskutuar pikërisht për këto vota të mërgatës.

Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, ka thënë se në bazë të aktgjykimit janë të obliguar që t’i numërojnë fletëvotimet nga diaspora.

“Në bazë të këtij aktgjykimi jemi obliguar që t’i numërojmë fletëvotimet nga diaspora. E kemi obligimin dhe nuk mendoj që kemi çka të diskutojmë. Na pëlqeu, nuk na pëlqeu do ta zbatojmë”, tha ajo.

Ndërkohë kundër vendimit të Gjykatës Supreme janë deklaruar anëtari i LDK’së në KQZ, Sami Hamiti dhe ai i PDK’së, Ilir Gashi.

Sipas tyre vendimi për numërimin e këtyre votave është i gabuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat