Palmer: Serbia nuk do të hyjë në BE nëse nuk e zgjidh kontestin me Kosovën

Aktuale

Palmer: Serbia nuk do të hyjë në BE nëse nuk e zgjidh kontestin me Kosovën

Më: 1 nëntor 2019 Në ora: 15:28
Foto nga takimi

(E plotësuar) - Zgjidhja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, mbetet një nga prioritetet strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Qeveria e re përveç se duhet të punojë për interesat e popullit, duhet të gjallërojë negociatat e dialogut. Kështu u shpreh sot zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, njëherësh përfaqësues Special i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Duke përmendur rëndësinë e dialogut me Serbinë, ai ka deklaruar se ky vend duhet të ndalojë fushatën e saj për stimulimin e vendeve për tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

I ngarkuari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, para studentëve kosovarë pasditen e së premtes, ka thënë se zgjidhja e dialogut me Serbinë, mbetet prioritet strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Palmer: Zgjidhja e dialogut me Serbinë, mbetet prioritet i ShBA-së (Video) “Zgjidhja një herë e përgjithmonë mes Kosovës dhe Serbisë përmes normalizimit të plotë mbetet prioritet strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në popullin këtu dhe më gjerë dhe në rajon, sepse do t’i çliroj të dy vendet Kosovën dhe Serbinë nga trashëgimia e armiqësive që shterr fokusin dhe energjinë e tyre dhe do të hap mundësi ekonomike. Do t’ia mundësoj udhëheqësve të Kosovës dhe të Serbisë për t’ua kushtuar tërë vëmendjen e tyre çështjes së përmirësimit të jetës të popullit të tyre, duke trasuar rrugën për të ardhme paqësore dhe prosperuese”, ka thënë Palmer.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në Kosovë më 6 tetor, për çka tha se sytë e botës do të shikojnë se çfarë do të bëjë qeveria e re.

Palmer: Ne e nxisim qeverinë e re për normalizim

“Me zgjedhjet e mbajtura me 6 tetor keni treguar rëndësinë demokratike, dhe këto zgjedhje kanë vërtetuar rëndësinë e garës zgjedhore dhe të zërit të popullit. Dhe përderisa numërimi i votave po finalizohet është e qartë se opinioni publik i Kosovës votoi për ndryshim. Dhe duket qartë se votuesit zgjodhën partinë që shprehën parimet të qarta kundër korrupsionit si dhe parime për zhvillimin ekonomik më të madh dhe më të fokusuar. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i përqafojnë këto qëllime. Ne e nxisim qeverinë e re për të parë mundësinë e normalizimit si përforcues të kësaj agjende, e jo si diçka që garon kundër kësaj. Sytë e botës do të  shikojnë se çfarë do të bëjë qeveria e re. Asaj i duhet një koalicion qeverisës që përfaqëson popullin me një zë koherent me objektiva reale dhe plan. ShBA-të kanë qenë të qarta shpresojmë të shohim një Qeveri të gatshme për të adresuar si sfidat e jashtm e ashtu edhe të brendshme”, ka shtuar Palmer.

Para studentëve kosovarë dhe shoqërisë civile, Palmer ka thënë se qeveria e re duhet të gjallërojë negociatat e dialogut, për çka u zotua se ShBA-të do të përkrahin sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës. Krahas kësaj tha se shtetësia e Kosovës është e pathyeshme.

Palmer: Qytetarët e Kosovës meritojnë botën 

“Qytetarët e Kosovës meritojnë më shumë se partnerët të fortë me SHBA,  ju e meritoni botën,  BE-në , NATO-n dhe OKB-n , ju meritoni integrim të plotë ndërkombëtar  dhe njohjen e Kosovës si  e pavarur.  Ju nuk e meritoni të qëndroni prapa SHBA-së por krahë për krahë si partner, dhe kjo mund të arrihet me dialog me Serbinë”, ka deklaruar ai.

Ai dy fjalë pati edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili po pretendon udhëheqësin e ekzekutivit.

Palmer: Jemi takuar para dy ditëve në Shkup

 “Pritjet e mia për Kurtin duke supozuar që do të bëhet kryeministër është se do të jetë partner i mirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se do të punojë ngushtë me neve në kërkim të objektivave dhe qëllimeve tona të përbashkëta. Se ai do ta kuptoj se dialogu me Serbinë është i rëndësishëm jo vetëm Kosovën, por edhe për ShBA-të, dhe ta integrojë atë në të menduarit e vetë dhe do të gjej mënyrën për t’u kthyer në tavolinën e negociatave përfshirë edhe për çështjen e adresimit të taksës, e cila është bërë një pengesë. Përse nuk jam takuar sot me të, nuk është këtu, dhe jam takuar para dy ditëve në Shkup. Kemi pasur rastin që të ulemi dhe të bisedojmë, sepse njifemi që sa e sa vite”, u shpreh Palmer.

Derisa ka folur për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ai ka theksuar se ky proces ofron mundësi më të madhe ekonomike. Ai tha se bizneset ngurojnë të investojnë në Kosovë, për shkak se ekziston përceptimi se ky vend është ende në konflikt dhe i rrezikshëm.

Krahas kësaj, ai tha se Serbia duhet të ndalojë stimulimet për bllokimin e Kosovës në anëtarësimin e organizatave.

Palmer: Serbia duhet të ndalojë fushatën kundër Kosovës (Video) “ Serbia duhet të ndalojë fushatën e saj për stimulimin e vendeve për tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Serbia duhet të ndalojë bezdisjen e serbëve të Kosovës, pjesëtarë të institucioneve të Kosovës, duhet të ndalet retorika e pandërprerë e konfrontimit. Dhe këto masa veç se e kanë prishur atmosferën për një marrëveshje kompromisi, e cila i duhet Serbisë për të përmbushur, potencialin e saj të plotë. Presidenti Vuçiq dhe pjesa më e madhe e Serbisë  e dinë Serbia kurrë nuk do të hyjë në BE, nëse nuk e zgjidh kontestin e kamotshëm me Kosovën. Kur refuzojnë të pranojnë Kosovën si fqinje e jo si pronë, atëherë do të ketë ngecje ndaj të cilës Serbia humbet edhe politikisht, edhe ekonomikisht”, ka deklaruar Palmer para studentëve kosovarë.

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, derisa është pyetur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, tha se ShBA-së nuk i takon për të përcaktuar afatin kohor për marrëveshje përfundimtare, për këtë tha se duhet të vendosin vetë palët.

***

Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit i ShBA-së, njëherësh përfaqësues Special i Sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha se qeverisja dhe koalicioni i ardhshëm duhet t'i vazhdojë negociatat me Serbinë, kjo tha se është edhe prioritet strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

"Sot është e jashtëzakonshme gjithë atë që keni arritur dhe frytet e arritjes. ShBA-të i kanë qëndruar popullit këtu. Qëllimi ynë për këtë rajon mbetet integrimi i plotë në Evropë. Kosova e izoluar nuk mund të arrijë... Me zgjedhjet në fillim të tetorit keni treguar rëndësinë demokratike. Opinioni publik votoi për ndryshim, edhe SHBA-të e përqafojnë këtë. Sytë e botës do të shikojnë se çfarë mund të bëjë qeveria e re e Kosovës. Kosovës i duhet një koalicion që përfaqëson popullin e Kosovës. ShBA-të kanë qenë të qarta, shpresojmë që do të shohim adresim. Qeveria e re kur të formohet mundet dhe duhet të ngjallë negociatat. Ne nuk mund të shohim asnjë integrim nëse nuk ka negociata me Serbinë", tha ai.

Palmer tha se shtetësia e Kosovës tha se është e pathyeshme.

"Qytetarët e Kosovës meritojnë më shumë se partnerit me SHBA-të, ju e meritoni botën, BE-në, OKB-në. Jo të qëndroni prapa SHBA-së por krahë për krahë, dhe kjo mund të arrihet me dialog. Qysh prej fillimi vet themeli i Kosovës ka qenë ajo ka negociuar e ka përfaqësuar vetën, ajo ka bërë të mundur deklaratën e Selanikut në vitin 2003. Dialogu trasojë rrugën", tha Pallmer.

Sipas tij, prej vitit 2013, serbët e Kosovës kanë marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës me ligje të po këtij vendi.

Ai para një publiku të përbërë nga studentë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, sot ka thënë se Kosovës i mungon një marrëveshje e normalizimit me Serbinë.

"Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë ofron mundësi më të mëdha ekonomike sepse bizneset ngurojnë të investojnë këtu, sepse ekziston një perceptim sepse këtu është vend i rrezikshëm dhe ka konflikt. Kur bizneset mund të lëvizin lirshëm në atë vend ka prosperitet”, tha ai, duke shtuar se Serbia duhet të ndalojë stimulimet për bllokimin e Kosovës në anëtarësimin e organizatave.

"Nganjëherë ka pasur mungesë të transparencës në dialog. Shqetësimi dhe dëshira e disave është që SHBA-të të përpiqen t’i ofrojnë zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë. Serbia duhet të ndalojë stimulimet për bllokimin e Kosovës në anëtarësimin e organizatave, dhe nxitjen e serbëve të Kosovës. Jemi të gatshëm për të punuar me udhëheqësit e vendeve", ka shtuar ai.

***

I dërguari i posaçëm i SHBA-ve në Kosovë, Matthew Palmer ka folur sot para studentëve dhe shoqërisë civile në bibliotekën ndërkombëtare.

Palmer para studentëve dhe shoqërisë civile, foli për qeverinë e re, dhe pritshmëritë nga ajo.

Tha se opinioni votoi për ndryshim, mirëpo se sipas tij SHBA-të presin ndryshime në vend.

“Opinioni votoi për ndryshim, dhe votuan partitë që dëshmuan parime të qartë për luftën kundër korrupsionit. Ne do të shikojmë se çka do të bëjë Qeveria e re e Kosovës, dhe a mund të merret me temat e brendshme të vendit. SHBA-të kanë qenë të qartë, shpresojmë në një qeveri që merren me sfidat e brendshme dhe ato të jashtme”, tha ai.

Sipas Palmer, secili hap pas normalizimit të raporteve mes Kosovës e Serbisë do të jetë më i lehtë për vendin.

“Çdo hap, pas normalizimit të raporteve, do të jetë më i qartë. Qeveria e re, kur të formohet dhe do të duhet të merret me negociatat. Ne nuk shohim mundësi për integrim të Kosovës në organizata ndërkombëtare pa marrëveshje me Serbinë. Historia e Kosovës është e tillë, e sakrificës së domosdoshme për të arritur përparimin”, tha ai.

Sipas tij, Kosova ka potencial dhe meriton shumë më shumë se sa partneriteti me SHBA-të.

Ai thotë se Kosova meriton anëtarësim në OKB, BE e NATO.

“Shtetësia juaj është e pakthyeshme dhe tani duhet ta ruani potencialin e madh të këtij vendi. Qytetarët e Kosovës meritojnë më shumë se partneritet të fortë me SHBA-të, e meritoni BE-në, NATO-n dhe OKB-në, e gjithsesi anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Shumë njerëz këtu janë skeptik rreth dialogut, por shikoni se çka ka arritur Kosova me dialog. Kosova e ka përfaqësuar veten dhe interesat e saj. Dialogu trasoi rrugën që 5 vendet e Ballkanit Përendimor të bëhen gjashtë, dhe me të gjitha drejtat e barabarta”, tha Palmer duke folur për përfitimet që sipas tij do të ketë Kosova pas normalizimit të raporteve me Serbinë.

Palmer tha se pas përfundimit të dialogut me Serbinë dhe marrëveshjes gjithëpërfshirëse do të ketë edhe rritje të dukshme të investimeve të huaja në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat