Ky do të jetë deputeti i vetëm i PSD-së në Kuvendin e Kosovës

Aktuale

Ky do të jetë deputeti i vetëm i PSD-së në Kuvendin e Kosovës

Më: 1 nëntor 2019 Në ora: 22:10
PSD’ja

Partia Socialdemokrate, që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti, nuk pati performancë të mirë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, që u mbajtën më 6 tetor.

PSD’ja lidhi koalicion parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, të cilës i prin kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

Rrjedhimisht, dy partitë hynë me një listë të përbashkët, me Haradinajn si kandidat për kryeministër.

Koalicioni AAK-PSD, sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, ka arritur të sigurojë 14 vende në Kuvendin e Kosovës.

Prej 14 deputetëve të rinj, nga AAK janë 13 – katër do të jenë gra, ndërsa burrat do t’i kenë nëntë vende.

PSD’ja ka arritur ta sigurojë vetëm një vend, falë kuotës gjinore.

Partinë e Shpend Ahmetit në Kuvendin e Kosovës do ta përfaqësojë Natyra Kuçi, e cila ka marrë 4.264 vota në krejt vendin.

Në legjislaturën e kaluar, PSD’ja përfaqësohej nga 12 deputetë, të cilët në Kuvend kishin hyrë si anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, para se ta braktisnin atë.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, Shpend Ahmeti mori më së shumti vota nga PSD’ja – 5.508.

Pas tij renditen Visar Ymeri me 5.069, Dardan Sejdiu me 4.339, Natyra Kuçi me 4.264, Dardan Molliqaj me 3.825, dhe Frashër Krasniqi me 3.762 vota.

Asnjëri prej tyre, përveç Kuçit, s’ka arritur të bëhet deputet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat