Kurti: Astriti është vrarë, të martën të ngrihemi në këmbë

Aktuale

Kurti: Astriti është vrarë, të martën të ngrihemi në këmbë

Nga: A.ZH Më: 3 nëntor 2019 Në ora: 13:01
Astrit Dehari

Të martën më 5 nëntor, bëhen tri vite nga vdekja e aktivistit të Lëvizjes Vetvëvendosje Astrit Dehari.

Në këtë datë, në Prishtinë do të organizohet marsh në kërkim të drejtësisë për të.

Lajmin e ka bërë të ditur kandidatja për deputete nga Vetëvendosje Tinka Kurti, përcjell Bota sot.

Kurti ka thënë se Dehari është vrarë dhe se iu takon atyre që të luftojnë për të.

“E shtuna e 5 nëntorit 2016 na ka çuar zemrën peshë. E martja e 5 nëntor 2019 duhet të na çojë në këmbë”, ka shkruar ajo në një postim në Facebook.

Postimi i plotë:

Me 5 nëntor bëhen 3 vite prej kur Astriti nuk është më. Astrit Dehari është vrarë dhe na takon ne të luftojmë për të. Në datën e 5 nëntorit në Prishtinë po organizohet marsh në kërkim të drejtësisë për të. Kjo është e drejta e tij, është e drejta e Arsës për njoftimin e munguar, e dashnisë së mohuar të Artës, mungesës ma të rëndë për nanën Xhemile, durimit të pakrahasueshëm të axhës Avni e dhimbjes së madhe Albanës.

Por kjo nuk është vetëm e drejta e tyre. Një popull lëngon për drejtësi prej kur Astriti mungon. Me vdekjen e Astritit është lënduar çdo qytetar. Mungesa e tij është plagë e hapur dhimbja e së cilës nuk kalon. Por ajo mund të zvogëlohet me drejtësi. Prandaj, NJË POPULL PËR DREJTËSI.

Të shtuna e 5 nëntorit 2016 na ka çuar zemrën peshë. E martja e 5 nëntor 2019 duhet të na çojë në këmbë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat