Vetëvendosje sot dorëzon ankesën për votat e diasporës, shtyhet shpallja e rezultateve përfundimtare

Aktuale

Vetëvendosje sot dorëzon ankesën për votat e diasporës, shtyhet shpallja e rezultateve përfundimtare

Më: 4 nëntor 2019 Në ora: 12:16
Foto ilustrim

Shpallja e rezultatit të zgjedhjeve të gjashtë tetorit do të marrë edhe pak kohë. Kjo pasi që Lëvizja Vetëvendosje sot do të dorëzojë në Gjykatën Supreme edhe një ankesë sa u përket votave të diasporës. Kështu kanë konfirmuar nga kjo parti.

Lëvizja Vetëvendosje po e sheh si përpjekje të kundërligjshme dhe të motivuar politikisht refuzimin për të numëruar në total votat e ardhura nga diaspora.

Kjo pasi që 1806 fletëvotime të mërgatës nuk janë numëruar e për këtë çështje partia e Albin Kurtit është ankuar edhe në PZAP.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se me qëllim të kalkulimeve në prapavijë, po vonohet qëllimisht certifikimi i rezultateve përfundimtare.

“Refuzimi për ta zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme si nga SKQZ edhe nga PZAP, është qartazi përpjekje e kundërligjshme e motivuar politikisht dhe e koordinuar në mes tyre. Duke ju shërbyer interesave politike të palëve të ndryshme e kalkulimeve në prapavijë, po vonojnë qëllimshëm certifikimin e rezultateve përfundimtare”, ka shtuar ai.

Vetëvendosja për këto vota ishte ankuar fillimisht në PZAP, derisa nga ky organ kishin vendosur se e njëjta ankesë të refuzohet si e pabazuar.

Pas refuzimit nga PZAP-i Vetëvendosja do të drejtohet në Gjykatën Supreme me këtë ankesë. Kështu ka deklaruar partia e Albin Kurtit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sa i përket mosnumërimit të këtyre votave që kishin ardhur nga diaspora, ishte bazuar në vendimin e Gjykatës Supreme.

“Duke u mbështetur në vendimin e Gjykatës Supreme, janë vlerësuar 4 mijë e 639 pako të supozuara me fletëvotime dhe në fund kemi 5 mijë e 882 pako me fletëvotime të individualizuara. Pas vlerësimit të tyre janë aprovuar 4 mijë e 670, ndërsa janë refuzuar 1 mijë e 212”, kishte deklaruar ky institucion.

Sot gjatë ditës, ndërkaq, KQZ-ja ka thënë se rezultatet përfundimtare nuk mund të shpallen pa u përfunduar të gjitha çështjet e parashtruara në institucionet tjera.

“Aktualisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund t’i shpall rezultatet përfundimtare sepse duhet të presim përfundimin e të gjitha çështjeve që mund të jenë parashtruar në institucionet tjera. Pra, para se të procedojmë me shpalljen e rezultateve përfundimtare KQZ-ja kërkon konfirmim nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje për të shqyrtuar apo vendosur. Vetëm pasi të kemi këto konfirmime, KQZ-ja mund të shpall rezultatet përfundimtare”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

Elezi tutje ka sqaruar edhe se me shpalljen e rezultateve përfundimtare nuk përmbyllet procesi zgjedhor.

“Me shpalljen e rezultateve përfundimtare nuk përmbyllet procesi zgjedhor, pasi subjektet politike dhe kandidatët mund të paraqesin ankesat e tyre lidhur me këto rezultate. Fillimisht ankesat mund të paraqiten në PZAP dhe në rast se ky institucion hedhë poshtë ndonjë ankesë, pala e pakënaqur mund të ankohet në Gjykatën Supreme. Ne gjithashtu duhet të presim vendimmarrjen e tyre, të veprojmë në përputhje me këto vendime, nëse e obligojnë KQZ-në, në mënyrë që pastaj të mund të procedojmë për certifikimin e rezultateve përfundimtare. Në fund, pasi KQZ-ja merr vendim për certifikimin e rezultateve e njofton Presidentin e Republikës së Kosovës lidhur me rezultatin e këtyre zgjedhjeve”, ka deklaruar Elezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat