Dhurohet gjak në trevjetorin e vdekjes së Astrit Deharit

Aktuale

Dhurohet gjak në trevjetorin e vdekjes së Astrit Deharit

Më: 5 nëntor 2019 Në ora: 15:38
Albin Kurti

(E plotësuar) - Në trevjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari, sot në selinë e kësaj partie është bërë dhurim vullnetar i gjakut.

Këtij aksioni i është përgjigjur edhe kreu i kësaj partie Albin Kurti, i cili tha se në trevjetorin e ‘mbytjes së Astrit Deharit po shprehin solidaritet me ata që kanë nevojë për gjak’.

Kurti: Solidarizohemi me ata që kanë nevojë për gjak

"Astrit Dehari ka qenë edhe student i mjekësisë, student i shkëlqyer, po njëkohësisht ka qenë edhe punëtor e zyrtar në Drejtorinë e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, me ç'rast u ka ndihmuar shumë pacientëve dhe ka punuar me shumë zell sidomos tek ata që kanë pasur më shumë nevojë. Prandaj, sot me rastin e trevjetorit të mbytjes së tij në burg, ne shprehim solidaritet me ata që kanë nevojë për gjak. Prandaj edhe në këtë ditë organizojmë këtë aktivitet për dhënien vullnetare të gjakut, në kujtim të shokut tonë, aktivistit tonë, të punëtorit shëndetësor të kryeqytetit  Astrit Deharit", tha ai.

Gjak ka dhuruar edhe aktivisti i Vetëvendosjes Fadil Seferi nga Mitrovica, i cili tha se këtë po e bën në nderim të Astrit Deharit.

Seferi: Dhurimi i gjakut shpëton jetë

“Arsyeja është shumë e thjeshtë, dhurimi i gjakut shpëton jetë. Shfrytëzova rastin që prej marshit për Astritin të vendosi të vij dhe të dhuroj gjak në Lëvizjen Vetëvendosje, do të thotë nuk është hera ime e parë, është hera ime e tretë diku dhe do të vazhdoj të dhuroj gjak, është për të mirën e njerëzimit”, tha ai.

Për herë të parë gjak ka dhuruar Arta Bajralia, e cila u shpreh se guximin për të dhuruar gjak e ka marrë për nder të aktivistit Astrit Dehari.

Bajralia: Për nder të Astrit kam marrë guxim për të dhuruar gjak

“Është hera e parë për mua që dhuroi gjak, por për nder të Astrit e kam marrë edhe guximin”, tha ajo.

Edhe Musa Hyseni ka dhuruar sot për herë të parë gjak, e shkak për këtë ka qenë kampanja e dhurimit të gjakut për nder të Astrit Deharit.

Hyseni: Hera e parë që dhuroj gjak, shkak kampanja për Astrit Deharin

“Është hera e parë që dhuroj gjak, më së shumti ka qenë arsyeja shkaku i kampanjës për Astrit Deharin. Është gjëja më e vogël që mund ta bëjmë dhe për këtë qëllim kam vendosur dhe e di që i shërben çdo qytetari të Kosovës”, tha ai.

Në trevjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje janë mbajtur disa aktivitete në Prishtinë dhe Prizren.

Astrit Dehari u arrestua fillimisht si i dyshuar për sulm mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosjes. Ai vdiq në vitin 2016 në rrethana dyshuese derisa ishte në paraburgim në Burgun e Prizrenit.

Së fundi, rasti i tij ka kaluar në juridiksionin e Prokurorisë Speciale, nga Prokuroria Themelore në Prizren, pas arritjes së ekspertizës nga një institut i pavarur në Zvicër, ku nuk përjashtohet mundësia e vrasjes. 

Kurti: Qeveria e re do të krijojë mundësi për të pasur drejtësi për Astritin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili ka fituar zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, ka deklaruar se me krijimin e qeverisë së re do të krijohet mundësia për të pasur drejtësi për Astrit Deharin.

Kurti pasi ka dhuruar gjak për trevjetorin e vdekjes së ish-aktivitetit të Lëvizjes Vetëvendosje, u shpreh se pas marrjes së mandatit si kryeministër i vendit, do të hiqet trysnia e Ekzekutivit mbi Prokurorinë e Kosovës dhe do të mund të fillojë një hetim i ri për zbardhjen e rastit.

Kurti: Me qeverinë e re do të krijohet mundësia për të pasur drejtësi për Astritin

"Duke pasur parasysh të gjeturat e raportit të Institutit të Lozanës për mjekësi ligjore, por duke pasur parasysh të gjeturat e mëhershme që janë bërë dhe me Qeverinë e re të Kosovës me siguri që do të hiqet trysnia e Ekzekutivit mbi Prokurorinë e Kosovës, posaçërisht asaj speciale dhe do të mund të fillojë një hetim i ri profesional dhe i pavarur, në mënyrë që sa më shpejt të zbardhet kjo çështje. Përfundimisht të trajtohet jo vetëm provat materiale, por edhe rrethanat faktike, si dhe procesi i deritanishëm, i cili nganjëherë nuk është zhvilluar mirë për shkak të ndikimit politik, e nganjëherë edhe për shkak të neglizhencës përbrenda mekanizmave shtetëror. Pra, natyrisht qe me Qeverinë e re do të krijohet mundësia për të pasur drejtësi për Astritin, sepse kjo është drejtësi për shtetin tonë, për popullin tonë, për qytetarët e Republikës, me qenë se padrejtësinë për Astritin edhe shteti i së drejtës në vendin tonë ngelet shumë i mangët”, tha ai.

Astrit Dehari u arrestua fillimisht si i dyshuar për sulm mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosjes. Ai vdiq në vitin 2016 në rrethana dyshuese derisa ishte në paraburgim në Burgun e Prizrenit.

Së fundi, rasti i tij ka kaluar në juridiksionin e Prokurorisë Speciale, nga Prokuroria Themelore në Prizren, pas arritjes së ekspertizës nga një Institut i pavarur në Zvicër, ku nuk përjashtohet mundësia e vrasjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat