“Fshehja e raportit zviceran për 4 muaj” – Prokuroria s’reagon ndaj pretendimeve të Bardhyl Mahmutit

Aktuale

“Fshehja e raportit zviceran për 4 muaj” – Prokuroria s’reagon ndaj pretendimeve të Bardhyl Mahmutit

Më: 6 nëntor 2019 Në ora: 12:42
Bardhyl Mahmuti

Publicisti Bardhyl Mahmuti ka prezantuar disa dëshmi nëpërmjet të cilave thekson se një pjesë e ekspertizës për rastin e Astrit Deharit është përcjellë në Kosovë më datë 14 qershor, ndërkohë që dokumentit të përkthyer në gjuhën shqipe i është vënë data 14 shtator. Për këtë ai iu është drejtuar me një letër publike edhe kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit duke thënë se raporti është i mbajtur i fshehur 4 muaj. Mirëpo, Prokuroria Speciale nuk kanë treguar nëse do të zhvillojnë hetime në këtë pjesë. Një përgjigje për këtë kanë pasur edhe nga Prokuroria e Prizrenit.

Veprimtari i njohur shqiptar, dikur përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bardhyl Mahmuti ka hedhur disa dyshime mbi rastin e hetimeve për mënyrën e vdekjes së ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Deharit, që ndërroi jetë në rrethana të dyshimta tre vite më parë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Pas ardhjes së ekspertizës nga Lozana e Zvicrës ku kërkoheshin hetime të reja, për të zbardhur vdekjen e Deharit, Mahmuti ka publikuar disa reagime, përfshirë këtu edhe një letër drejtuar kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit.

Ai pretendon se raporti i ekspertizës zvicerane për rastin e Astrit Deharit u mbajt i fshehur për katër muaj nga organet e Kosovës.

Mahmuti thotë se në bazë të ekspertizës që iu është bërë materialeve të dorëzuara nga Prokuroria Themelore, një pjesë e raportit u dorëzua në Kosovë me datë 14 qershor, e shton se për katër muaj i njëjti u mbajt i fshehur në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.

“Raporti i ekspertizës i datës 19 qershor u fsheh 4 muaj nga dikush në prokurorinë themelore të Prizrenit. As familja, as avokati i palës civile dhe as opinioni publik që ka ndjekur me shqetësim zhvillimet lidhur më këtë çështje nuk u vu në dijeni të përmbajtjes së këtij raporti. Rreth 3 muaj më vonë, më 9 SHTATOR 2019, instituti i lartpërmendur i qendrës universitare të Zvicrës dorëzoi ekspertizën shtesë prej 14 faqesh, me numër reference: EI190001 TF/SG/jb, V/ref. PPN/I nr. 461/16”, shton ai, derisa bën të ditur se sipas tij është ndryshuar edhe data e këtij raporti nga 14 qershor më 14 shtator.

“Ftoj publikisht Prokurorin e Shtetit, z. Aleksandër Lumezi dhe Ushtruesin e Detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, z. Afrim Shefkiu që në përputhje me kompetencat dhe autorizimet kushtetuese dhe ligjore të fillojnë hetimet e menjëhershme dhe të merren masat e parapara me ligj për autorët e këtij falsifikimi”, ka thënë i njejti.

Për pretendimet e Mahmutit, media ka kontaktuar  Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala. Shala ka deklaruar se për pranimin e raportit tashmë janë deklaruar e se duhet të ju referohemi komunikatës së lëshuar për këtë temë.

Më 17 tetor kryeprokurori Shala pati dalë me një konferencë për media ku kishte bërë të ditur se ka arritur në Kosovë ekspertiza për rastin Dehari.

 “Sot kemi pranuar raportin përfundimtar të ekspertizës së rastit të Astrit Deharit nga Instituti në Lozanë të Zvicrës. Nuk e dimë çka ka përbrenda, sot është dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit. Ne këtë do t’ia dorëzojmë prokurorit të rastit që do ta hapë dhe do të dorëzohet për përkthim”, kishte thënë ai.

Për datën e arritjes së kësaj ekspertiza nga prokuroria ishin arsyetuar duke përcjellë për media një fotografi të zarfit që brenda kishte raportin e dërguar nga Lozana.

Për të njëjtën vonesë të publikimit të ekspertizës institucionet i kishin akuzuar publikisht edhe prindërit e Astrit Deharit.

Në Prokurorinë Speciale nuk kanë pranuar që të komentojnë pretendimet e Mahmutit. Të njëjtët deklarojnë se nuk kanë dalë ende me aktvendim për nisje të hetimeve, pasi që fillimisht duhet të analizohen mirë të gjitha të dhënat që i kanë.

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi në anën tjetër ka thënë për Express se i përkrahin qëndrimet e Bardhyl Mahmutit.

“Sa i përket qëndrimeve të z.Bardhyl Mahmuti të cilat kanë të bëjnë me dallimet në gjuhën frënge dhe gjuhën shqipe, ndër të tjera edhe në datat e përpilimit të ekspertizës në rastin e vrasjes së Astrit Deharit unë si avokat i familjes Dehari në tërësi e përkrahi letrën publike të dërguar nga ana e tij te prokurori i shtetit Aleksandër Lumezi dhe te prokurori i rastit Afrim Shefkiu”, thotë Gashi.

I njëjti shton se shtyllat më të rëndësishme të shtetit të Kosovës do të duhej që të hetojnë pretendimet e Bardhyl Mahmutit.  Familja Dehari për punën e vonesës së ekspertizës janë drejtuar edhe te prokurori i shtetit dhe në Ministri të Drejtësisë.

“Normalisht që prokuroria duhet të dal me një qëndrim të saj për këto dallime që lehtësisht vërehen në gjuhën bazike që është përpiluar raporti, atë frënge dhe në gjuhën shqipe”, thotë ai.

Media ka raportuar me 21 tetor se ekspertiza e plotë për rastin e Astrit Deharit ka arritur në Kosovë para datës 20 shtator, por, që e njëjta u publikua vetëm pasi që në vend përfunduan zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Hetimet për rastin Deharit me vendim të kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit do të zhvillohen në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat