Elezaj: Posti i Presidentit nuk do duhej të shtrohet në tavolinën e bisedimeve

Aktuale

Elezaj: Posti i Presidentit nuk do duhej të shtrohet në tavolinën e bisedimeve

Nga: D. B Më: 6 nëntor 2019 Në ora: 13:45
Rexhep Elezaj

Posti i Presidentit nuk do duhej të shtrohet në tavolinën e bisedimeve nga ana e LDK-së në takimet e ardhshme me LVV-je për arritjen e koalicionit bashkë qeverisës, ngase kjo çështje nuk është fare e ngutshme.

Kështu ka vlerësuar publicisti Rexhep Elezaj, i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se kjo çështje nuk është aq e rëndësishme për qeverisjen e ardhshme të këtyre dy partive, LVV-LDK.

“E them këtë pasi sovrani me votën e tij ka përcaktuar ta qeverisin së bashku vendin, përkatësisht që Kosovën ta shpëtojnë nga degradimi i mëtejmë kulturor, arsimor, politik dhe ekonomik. Ka mbetur edhe një vit e gjysmë derisa presidenti aktual ta përfundon mandatin e tij kushtetues, prandaj mendoj se ka kohë të mjaftuar që kjo çështje të rregullohet midis këtyre dy partive në vazhdim të qeverisjes. E them këtë, sepse çështja e postit të presidentit edhe sipas Kushtetutës është më shumë pozitë përfaqësuese, se sa ekzekutuese, e cila në fakt shpreh unitetin e popullit dhe ruan kushtetutshmërinë e shtetit, ndaj si e tillë ajo mund të trajtohet lirshëm pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë, që nuk është e domosdoshme të përfshihet në marrëveshjen për koalicion bashkë qeverisës midis këtyre dy partive më të mëdha në Kosovë”, ka thënë publicisti Rexhep Elezaj.

Sipas tij, po qesë LDK-ja insiston që ky post patjetër të përfshihet në dokumentin e marrëveshjes, unë si anëtar i ri i LVV-je, nuk konsideroj se kjo çështje mund të paraqet ndonjë rrezik që mund ta dëmton arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

“Po ashtu, nuk besoj se çështja postit të presidentit, qoftë u pranua apo nuk u pranua nga ana e LVV-je për t’u trajtuar në tavolinën e bisedimeve, mund të ndikojë në mos arritjen e koalicionit bashkë qeverisës, mbase i domosdoshëm për shtetin, marrë parasysh rrethanat e komplikuara politike në rajon dhe Evropë, nëpër të cilat po kalon sot vendi ynë. Por, nuk duhet harruar as faktin se mbi dy muaj vendi ynë është pa qeveri dhe Kuvend, dhe kjo situatë shtron shumë pyetje dhe dilema, se kujt po i shkon në favor “Status Quoja” në (mos)funksionimin e organeve dhe institucioneve të Kosovës”, është shprehur publicisti Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat