Istrefi: Qiratë e objekteve ku operon Telekomi do të ulen

Aktuale

Istrefi: Qiratë e objekteve ku operon Telekomi do të ulen

Më: 7 nëntor 2019 Në ora: 00:25
Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës tha qiraja për objektet ku janë të vendosura shërbimet e kompanisë do të ulet.

Në intervistën e tij në Interaktiv të KTV-së, ai tha se janë njoftuar edhe pronarët e këtyre objekteve dhe hapësirave.

“Të gjitha objektet që i kemi me qira, kemi marrë vendim që të t‘i ulim ato qira. I kemi njoftuar pronarët. Nuk ka qira të Telekomit që nuk kemi bërë zbritje. Vendosja e antenave bëhet pas matjeve për të parë se sa hapësirë mbulon ajo antenë. Nuk dua të paragjykoj se ku janë vendosur ato. Por, për herë të parë kam arritur të krijoj ekip për montim dhe demontim të antenave, dhe kështu kemi kursyer 700 mijë euro. Kemi bërë marrëveshje me IPKO-n që shtyllat t’i përdorim bashkë”, tha kryeshefi ekzekutiv i Telekomit.

“Qiraja e objektit në shesh, ka qenë parapagim, pra është e paguar, dhe më duket se është edhe 1 vit. Nëse e shohim që s’është në interes të Telekomit, do ta shkëpusim atë kontratë”, theksoi Istrefi. Ndërsa tha se ajo pikë ka qarkullim jashtëzakonisht të mirë ditor, dhe mund të konsiderohet edhe vazhdimi i kontratës me atë objekt.

Ai tha se nuk është kundër privatizimit të Telekomit, por jo të tërësishëm dhe jo në këtë fazë në të cilën gjendjet kompania.

“Nuk jam kundër privatizimit, por jo të tërësishëm. Të shkojnë 49% të aksioneve në privatizim. Por, në gjendje në të cilën është kompania, nuk guxojmë të flasim për privatizim. Ta bëjmë të dinjitetshëm, e më pas ta dërgojmë në procesin e privatizimit”, tha Istrefi.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit foli edhe për marketingun e kompanisë që ai drejton, duke thënë se ka ndërprerë kontrata marketingu me shumë portale.

“Kur kam ardhur në këtë post, kam gjetur 58 portale që kanë qenë me kontratë në Telekom, dhe vlera e tyre mujore ka qenë 100 mijë euro. Më vjen keq që më është dashur t’i ndërpres të gjitha ato kontrata”, deklaroi Istrefi, duke shfaqur dyshimin e tij se shumë prej tyre kanë qenë portale fiktive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat