Deputete në mandatin e pestë, fjalët falënderuese të Donika Kadajt

Aktuale

Deputete në mandatin e pestë, fjalët falënderuese të Donika Kadajt

Më: 7 nëntor 2019 Në ora: 13:31
Donika Kadaj-Bujupi

Donika Kadaj-Bujupi ka arritur që përsëri të sigurojë edhe një mandat në Kuvendin e Kosovës.

Kadaj-Bujupi me të publikuar rezultatet zyrtare nga KQZ ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.

Ky është mandati i saj i pestë, por që ka një emocion të veçantë që e kthen në vitin2007.

Postimi i plotë:

Të respektuar miq,

Ju falenderoj për besimin që më keni dhënë për t’ju përfaqësuar në Kuvendin e Republikës. Ky mandat i imi i pestë është jo vetëm përgjegjësi, por edhe emocion i veçantë. Emocion që më kthen sërish në vitin 2007. Në përkujtim të njeriut që më mungon çdo ditë, babait tim. “Urime, por më e vështirë është ta mbash besimin, sesa ta fitosh”, më thoshte atëbotë njeriu më meritor për atë që jam sot.

Urim ky që rikuptimësohet edhe sot, kur kurorëzoj gjashtëmbëdhjetë vjet veprimtari politike dhe parlamentare. Nga dita kur u angazhova në politikëbërje si një entuziaste 28 vjeçare, në një mjedis jo gjithherë të lehtë për veprim, sidomos kur je grua. Në një hapësirë me jo pak pengesa, sulmesh dhe sfida. Me rezultate dhe gabime politike. Por, gjithmonë për interesin e përgjithshëm.

E përpos bindjeve të mia, pa dyshim se ishit ju, qytetarët e Kosovës, që më dhatë vullnet dhe besim. Ju, gratë, burrat, aktivistë, që më keni mbështetur dhe inkurajuar.

Pa harruar bashkëpunëtorët më të ngushtë, që me vullnetarizëm dhe me solidaritet, jo vetëm që nuk kursyen asnjëherë kohën e tyre për të më ndihmuar, por edhe besuan se mundem t’i përfaqësojë idetë e tyre politike dhe shoqërore.

E natyrisht se nuk mundem të mos shpreh falenderim publik për bashkëshortin tim, Naserin dhe dy fëmijtë e mi, Doruntinën dhe Dardanin, të cilët më mbështetën gjithëherë dhe më ndihmojnë në çdo hap. Ata që i kam gjithë në krah, pa të cilët nuk do të kisha forcë, besim dhe frymëzim.

Ju falenderoj të gjithë përzemërsisht. Ju zotohem se do të dëshmojë përsëri se përfaqësimin parlamentar e kuptoj mbi gjithash si bashkëveprim dhe si bashkëpjesëmarrje me qytetarë.

Për Kosovën që ëndërrojmë, Kosovën 100% shtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat