Haradinaj: Më shqetësojnë politikat e majta ekonomike të Kurtit

Aktuale

Haradinaj: Më shqetësojnë politikat e majta ekonomike të Kurtit

Më: 7 nëntor 2019 Në ora: 14:59
Ramush Haradinaj

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj duke folur për pritjet e tij për qeverinë e ardhshme, tha se është i shqetësuar me politikat e majta për ekonomi nga Albin Kurti si kryeministër i mundshëm në qeverinë e re.

Haradinaj tha se politikat e Kurtit do të ndikojnë negativisht në zhvillimin ekonomik, teksa shtoi se e përshëndet idenë e zvogëlimit të Qeverisë nga 21 në 12 ministri. Po ashtu ai tha se qeverinë e re pret një stabilitet buxhetor dhe një avancim për rend dhe ligj.

Haradinaj: Politikat e majta ekonomike të Kurtit pengojnë zhvillimin ekonomik

“Ajo çka më shqetëson te qeveria e ardhshme, janë politikat ekonomike të Kurtit, I cili duke qenë i majtë, mendoj se do të ketë ndikim negativ në rritjen ekonomike. Politikat e tij ekonomike do të kenë ndikim negative në rritje ekonomike. Shpresoj që nuk do të bëjnë gabime në këtë drejtim nëse është kryeministër. Pritjet kishin me qenë prej meje, që e përshëndes idenë e një qeverie me 12 ministri. Nëse  e bëjnë vërtet prej meje do të kenë lëvdata. I mirëpres deklarimet e tyre për luftimin e korrupsionit, por bëj apel që të fokusohen te gjendja në shëndetësi dhe në arsim, ngase është një punë jo e lehtë. Ajo që shoh te qeveria e ardhshme, është se vërtet ka një luks, s’e merr një gjendje buxhetore stabile. Borxhi publik është i vogël dhe merr një sektor publik të rregulluar me ligj, një gjendje stabile në energji, rend dhe ligj, ngaqë nuk ka qenë kështu kur kam filluar unë me punë. Mirëpo, sfidat vazhdojnë, do të ketë sfida në këtë qeverisje të vazhdueshme”, deklaroi Haradinaj. 

Kryeministri në detyrë tha se nuk qëndron se me zvogëlimin e ministrive, menjëherë kursehet buxheti.  Sipas tij, nuk është krejt ‘bardh dhe zi’ numri dhe zvogëlimi i Qeverisë.

Haradinaj: Me zvogëlimin e ministrive nuk kursehet buxheti

“Pra, nuk është se me numrin e  vogël të ministrive, menjëherë kursehet buxheti për shkak se veprimtaritë qeverisëse jetësore vazhdojnë. Pra, është e pa mundur të eliminohen ato veprimtari. Një punë që dikur e ka kryer një ministër, mund të ndodhë që duhet shtuar drejtorë ose përgjegjës të caktuar ose zyrtarë të caktuar. Pra, nuk është krejtësisht ‘bardh dhe zi’ numri. Sido që të jetë unë nuk jam lëvduar asnjë herë për numrin e madh të zëvendës ministrave dhe mirëpres idenë një qeveri me 12 ministri, me nga 2 zëvendës ministra dhe nëse vërtet e realizojnë këtë i përgëzojë”, deklaroi ai.

Për demarkacionin me Malin e Zi, Haradinaj tha se Qeveria e re duhet gjejë një  zgjidhje, pasi shënimi i vijës nuk ka ndodhur dhe nuk ka ende pika zyrtare se ku është kufiri.

Haradinaj: Do të ndodhë shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi në Çakorr

“Nuk është e vërtetë ajo që thotë Mali i Zi, se ata nuk i japin tokë askujt, pra edhe ne nuk kërkojmë tokë prej Malit të Zi. Ne kemi respekt për Malin e Zi, është shtet fqinj, është anëtar i NATO-s. Qysh edhe Mali i Zi nuk kërkon tokë prej Kosovës. Bazuar në këtë ne e dimë, se po do të ndodhë shenjëzimi ose shënimi vijës kufitare në Qafë të Çakorrit, në Kullë dhe në majat e larta… Në fund do të rezultojë se s’i kemi marrë tokë Malit të Zi, e as ata ne. Nuk pretendojmë tokë të Malit të Zi, edhe duhet bërë kujdes gjatë deklarimeve në vazhdimësi”, tha Haradinaj.

Ndërsa, për strategjinë e qeverisë së re se nuk do të ndodhë projekti energjetik “Kosova e re” dhe autostrada e Dukagjinit, Haradinaj tha se nuk e di ende se si do ta bëjë opozitën për këtë, por vlerësoi se “Kosova e re”  është investim kapital dhe interes strategjik.

Haradinaj nuk ka mohuar e as pohuar se do të organizojë protesta për mos realizimin e këtyre dy projekteve nga qeveria e ardhshme. Për autostradën  e Dukagjinit, ai tha se është në proces dhe se janë ndarë edhe mjete, ndërsa shtoi se qeveria e ardhshme mund ta vonojë, por si projekt do të jetë i pashmangshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat