S’ka rezultate të analizave për mostrat e zarfeve nga Serbia

Aktuale

S’ka rezultate të analizave për mostrat e zarfeve nga Serbia

Më: 7 nëntor 2019 Në ora: 19:10
QNR

Prokuroria e Shtetit ende nuk i ka pranuar rezultatet e mostrave të zarfeve me votat nga Serbia. Madje, në këtë institucion duket se as nuk kanë informata se kur do t’i kenë në dorë këto rezultate, derisa vazhdojnë që ta mbajnë sekret shtetin ku janë dërguar për ekzaminim. Ndryshe, nga zarfet e ardhura nga Serbia mbi 20 zyrtarë të KQZ’së kërkuan trajtim në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, 12 prej të cilëve u hospitalizuan më pas. Në mesin e tyre edhe dy shtatzëna.

Hetimet në lidhje me zarfet me vota nga Serbia janë duke vazhduar. Por, edhe pas tre javësh ende nuk po dihet arsyeja se pse pas hapjes së këtyre zarfeve, mbi 20 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u përballën me reaksione alergjike, si vjellje, skuqje të fytyrës e kruarje.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, ka thënë se ende nuk i kanë pranuar rezultatet e mostrave.

Deklaron se rasti është ende në fazën e zhvillimit të hetimeve.

“Duke ju referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se rasti është në fazën e zhvillimit të hetimeve, sa i përket rezultateve, ende nuk i kemi pranuar”, ka thënë Ulaj.

Express ka tentuar sërish që të marrë një përgjigje rreth shtetit dhe laboratorit ku janë dërguar për ekzaminim këto mostra, por në Prokurori nuk kanë dhënë detaje.

Ndryshe, të dielën e 13 tetorit teksa po hapnin dhe verifikonin votat e ardhura nga Serbia në zarfet e mbyllura, 20 zyrtarë të KQZ-së që u ankuan për gjendjen e tyre shëndetësore. 12 prej tyre përfunduan të shtrirë në spital.

Mjekët thanë se ata kishin reaksione të ndryshme, si vjellje, skuqje në fytyrë, kruarje e tjera.

Drejtoresha e Klinikës Infektive në Prishtinë, Lindita Ajazaj – Berisha, në një konferencë për media, kishte thënë se rezultatet që i kanë marrë nga Instituti i Biokimisë, rreth zarfeve të ardhur me vota nga Serbia, kanë përjashtuar mundësinë e ndonjë agjenti infektiv.

“Për momentin me këto rezultate të strishove që janë marrë, përjashtohet që bëhet fjalë për një sëmundje infektive, në të gjitha analizat laboratorike që i kemi marrë nga Instituti Biokimisë. Kurse strishot e marra, që i kemi marrë sot rezultatet, edhe ato e përjashtojnë mundësinë e ndonjë agjenti infektiv”, kishte thënë ajo.

Lidhur me këtë rast, autoritetet serbe kishin deklaruar se kjo është përpjekje për manipulim.

“Po përgatitet manipulimi i votave të qytetarëve serbë, për t’u hapur rrugë njerëzve të (kryetarit të Vetëvendosjes, Albin) Kurtit në Parlament”, thuhej në reagimin e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Presidenti i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se gjatë ditës së diel, anëtarët e kësaj partie janë larguar nga hapësirat e Qendrës për Numërim të Votave në Prishtinë, duke shtuar se aktualisht po ndodh vjedhja e votave serbe, për ta përmbysur vullnetin zgjedhor.

Ndërkohë reagime për rastin ka pasur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Në VV kanë kërkuar që autoritetet shtetërore t’i hetojnë shkaqet e helmimit.

“Helmimi i punonjësve të operacionit të votimit përmes postës ka shqetësuar familjarët e stafit, por edhe opinionin publik. Autoritetet shtetërore duhet të hetojnë shkaqet e këtij helmimi, ashtu siç duhet të hetojnë pakot e ardhura nga Serbia në mënyrë të organizuar nga shteti i Serbisë”, theksohej në reagim.

“Këto pako me fletëvotime nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë. Këto fletëvotime të sjella kundërligjshëm duhet të refuzohen. Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata”, thuhej në reagim.

Zgjedhjet e 6 tetorit u zhvilluan në 38 komuna në 895 qendra të votimit me 2,547 vendvotime. Nga 25 subjekte politike garuan 1,067 kandidatë për deputetë. Në zgjedhje morën pjesë 44 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, derisa 29 persona u arrestuan për shkelje gjatë procesit zgjedhor.

Fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare erdhën pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pas ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë për intervistim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat