Jakup Krasniqi pas ftesës që ju bë Veselit: Ata që i shtyn të tjerët ta votonin GJS, nuk ia vlen as të flitet?!

Aktuale

Jakup Krasniqi pas ftesës që ju bë Veselit: Ata që i shtyn të tjerët ta votonin GJS, nuk ia vlen as të flitet?!

Nga: H.O. Më: 7 nëntor 2019 Në ora: 22:42
Jakup Kasniqi/ Kadri Veseli

Edhe anëtari i Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka reaguar pas ftesës që i është bërë Kadri Veselit nga Gjykata e Hagës.

Ai ka publikuar një reagim të tij nga arkiva, nga dhjetori i vitit 2010.

Postimi i plotë:

NJË PJESË E REAGIMIT TIM NË DHJETORIN E VITIT 2010

Reagimet e sotme janë: “Si kofini pas të vjelurave”!

Ndërsa për ata që i shtyn të tjerët ta votonin GJS, nuk ia vlen as të flitet?!

Ky Raport përfaqëson përpjekjet e qarqeve të caktuara antishqiptare për të barazuar luftën e drejtë dhe heroike të popullit të Kosovës dhe të Ushtrisë së tij Çlirimtare me krimet e gjenocidit te regjimit serb të Millosheviqit. Tentivat për të ngatërruar viktimat me xhelatin hedhin hije dyshimi për të gjithë aktivitetin dhe paanshmërinë e raportuesit të Këshillit të Evropës.

Populli i Kosovës dhe luftëtarët e tij janë ndier tepër të fyer dhe të indinjuar nga spektaklet e ulëta, të luajtura turpshëm, kësaj radhe jo në librushka të zonjës Ponte, por në foltoren e një institucioni të lartë dhe shumë të nderuar evropian, në Këshillin e Evropës. Anëtari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, zoti Dick Marty, një njeri me ndjenja të pakontrolluara urrejtjeje ndaj Kosovës së lirë dhe pavarësisë së saj, që na asocionon në disa qarqe të pakta antikosovare në botë, po luan një dramë të rrezikshme dhe të pandershme mbi kurrizin e një populli liridashës, paqësor dhe të shumëvuajtur.

Populli i Kosovës asnjëherë nuk ka bërë luftëra pushtuese, asnjëherë nuk i ka rënë në qafë kujt. Popullsia serbe gjithmonë ka qenë komunitet pakicë në Kosovë, por kurrë nuk është dëmtuar nga shumica shqiptare dhe aq më pak nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila ka kontrolluar gjatë Luftës territore të tëra me popullsi serbe, por civilët nuk kanë pësuar asnjë dëm të vetëm.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk do t’i bënte kurrë veprimet që i përshkruhen në Raport, sepse ishte betuar në pastërtinë e luftës së saj çlirimtare, sepse lufta e saj kishte për qëllim idealet e popullit që e lindi, çlirimin e Kosovës, vendosjen e paqes, ndërtimin e rendit demokratik dhe jo ambiciet profitere, sepse ajo respektonte ligjet humane të luftës, sepse mishëronte traditën dhe kulturën e popullit të vet që nga antika, sepse ashtu do të dënonte veten e saj dhe aspiratat që përfaqësonte. Së fundi duhet thënë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës as mund t’i kishte kushtet teknike për të realizuar një veprim të tillë të shëmtuar.

Në emër të drejtësisë së luftës së shenjtë të Kosovës, të ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare dhe të institucioneve dhe qytetarëve që përfaqësoj, në emër të së drejtës dhe të vërtetës, them me bindje e përgjegjësi se pandehmat e zotit Dick Marty lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në Raportin e tij të fabrikuar pa asnjë fakt, kurrë nuk do të mund të argumentohen, sepse nuk janë të vërteta.

/Marrë nga libri im: Arti i bisedimeve, botim i - Buzuku/.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat