Jakup Krasniqi: U shkel ligji, pse nuk po reagoni? - Bota Sot
Jakup Krasniqi: U shkel ligji, pse nuk po reagoni?

Aktuale

Jakup Krasniqi: U shkel ligji, pse nuk po reagoni?

Më: 8 nëntor 2019 Në ora: 21:33
Jakup Krasniqi

Kreu i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, i është rikthyer një leximi që thotë se kishte bërë para vitesh a dekadash në letërsinë antike greke, se “qytetarët më të kulturuar i ka ai qytet (i Greqisë), qytetarët e të cilit dinë të reagojnë kur padrejtësia i/u bëhet tjetrit apo të tjerëve”.

“Kjo do të thotë se është qytetari kur reagimi bëhet ndaj padrejtësisë që i behet tjetrit, se të reagosh ndaj padrejtësisë që ushtrohet ndaj teje është e natyrshme se në fund të fundit njeriu i ka dy duar për të mbrojtur një kokë”, ka thënë Krasniqi, teksa ka shtuar se “nëse kemi parasysh ketë, në këto momente që po i kalojmë, natyrshëm na shtrohet pyetje: Ku jemi ne me ketë lloj të qytetarisë?”

Ka thënë se janë dy zhvillime që ndodhen ditëve të fundit që ia kanë risjellë në kujtesë thënien e lexuar në vitet e studimeve.

“Zhvillimi i parë janë zgjedhjet e lira, ndërsa i dyti, ftesat e reja nga dhomat e Specializuara të Prokurorisë më seli në Hagë. Jam i bindur se në të dy rastet do të duhej të kishte një reagim qytetar, e sidomos do të duhej të kishte një reagim nga komunitetet e organizuara të shoqërisë sonë, si nga komuniteti i intelektualëve, i medieve dhe shoqëria civile. Përkundrazi, ka heshtje e në ndonjë rast ka kritika ndaj atyre që përpiqen t’i mbrojnë ligjet në fuqi nga shkeljet e rënda që u bëhet atyre”, ka thënë Krasniqi, në një tekst autorial dërguar mediave.

Ai ka thënë se gjatë gjithë viteve të lirisë e të pavarësisë, parti politike e individë, me ngulm kanë bërë thirrje për sundim të ligjit, por që sipas tij, tani kur është momenti për të mbrojtur ligjin/ligjet dhe vlerën sublime kombëtare (luftën për Liri), kemi heshtje varri dhe jo vetëm tani.

“Në anën tjetër kur KQZ-ja ka shkelur Ligjin për zgjedhjet se bashku me Gjykatën Supreme duke ju dhënë ligjitimitet votave të paligjshme, grupet e përmendura shoqërore në masë të madhe kanë heshtur ose ndonjë tehun e kritikës e kanë drejtuar ndaj atyre që kanë kërkuar e kërkojnë mbrojtjen e ligjit i cili në rastin e zgjedhjeve është shumë i qartë. Këtu nuk duhet të jetë e rëndësishme se kush po e kërkon respektimin e ligjit, por a është shkelur ligji dhe pse”, ka shkruar Krasniqi.

Në një situatë të tillë, thotë Krasniqi, mediet me kredibilitet e besueshmëri do të duhej t’i ftonin njohësit e ligjeve dhe ekspertët me përvojë që të jepnin mendimet e tyre profesionale e kredibile.

“Kushdo që e lexon ligjin për zgjedhjet e ka të qartë se rregullat me të cilat ka filluar loja, janë ndryshuar në përfundim të saj. Kjo është e dukshme. Reagimet në mbrojtje të ligjit/eve dhe vlerave duhet të bëhen me kohë! Përndryshe, reagimet si ‘kofini pas të vjelurave’ si duhet askujt”, ka thënë ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat