Kuota gjinore po shihet si e domosdoshme, edhe pse gratë deputete e sfiduan

Aktuale

Kuota gjinore po shihet si e domosdoshme, edhe pse gratë deputete e sfiduan

Më: 9 nëntor 2019 Në ora: 13:55
Kuvendi i Kosovës

Nga 39 gra që kanë arritur të fitojnë votat për t’u bërë deputete të Kuvendit të Kosovës, vetëm 13 prej tyre kanë pasur nevojë për kuotë gjinore që të fitojnë ulëse në Kuvend. Të gjitha subjektet politike që kanë garuar në zgjedhje kishin përmbushur vetëm kuotën prej 30 përqind të përfaqësimit të grave në listat për kandidate për deputete, por jo ligjin për barazi gjinore, i cili kërkon përfaqësim 50 përqind për secilën gjini.

Kjo po vlerësohet si një sukses i grave deputete, por që kuota gjinore po shihet si e domosdoshme që të përdoret edhe për disa palë zgjedhje.

Të 11 deputetet e ardhshme të Lëvizjes Vetëvendosje kanë arritur të marrin vota për të qenë pjesë e Kuvendit pa pasur nevojë për kuotë gjinore. Ndërkaq, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, vetëm dy gra deputete nga gjithsej 9, kanë pasur nevojë për kuotë.

Për kuotë gjinore kanë pasur nevojë më shumë gratë deputete nga Partia Demokratike e Kosovës dhe nga koalicioni AAK-PSD, ku nga 8 deputete sa janë zgjedhur nga PDK, 6 janë zgjedhur përmes kuotës, ndërsa nga koalicioni AAK-PSD, nga 5 deputete, 4 janë zgjedhur përmes kuotës.

Zgjedhjet e 6 tetorit shënuan numrin më të madh të grave që arritën të bëhen pjesë e Kuvendit pa pasur nevojë për kuotë gjinore, por që analistët politikë dhe njohës të fushës vlerësojnë se heqja e kuotës nuk duhet të ndodh edhe për disa palë zgjedhje.

Drejtoresha ekzekutive e Grupit për Studime Politike dhe Juridike Arbëresha Loxha, thotë se kjo legjislaturë do të ketë një përfaqësim më meritor të grave në Kuvendin e Kosovës, për faktin se një numër i madh i grave kanë siguruar ulëse në Kuvend pa pasur nevojë për kuotën gjinore.

Ndonëse thotë se është sukses që 26 gra nga 39 sa do të jenë në Kuvend, kanë arritur të fitojnë pa kuotë gjinore, këtë të fundit e sheh të domosdoshme të përdoret edhe në disa palë zgjedhje.

Loxha: Partitë politike nuk kanë arritur pjekurinë që të përfshijnë mjaftueshëm gra në lista zgjedhore

“Kosova është një demokraci e re dhe partitë politike nuk e kanë arritur pjekurinë dhe nivelin e vetëdijes që të përfshijnë mjaftueshëm dhe në mënyrë meritore gratë nëpër listat zgjedhore. Nëse shohim listat e partive politike shohim që vetëm kuota është përmbushur, pra janë përfshirë vetëm deri në 30 përqind të grave në listat zgjedhore që tregon që ende partitë politike nuk e kanë arritur një vetëdije që ta njohin dhe ta përfshijnë kontributin e grave më mirë si në struktura, po ashtu edhe në këtë rast në listat zgjedhore. Së dyti, nëse shohim në përgjithësi aktivitetin politik të grave në mesin e partive politike nuk kemi një konsistencë të kënaqshme, pra shumë shpesh kur përpilohen listat e kandidatëve për deputetë shohim që gratë futen nëpër lista në mënyrë ad-hoc, pra nuk kemi një strategji të mirëfilltë të partive politike për të rekrutuar dhe për të mbajtur gra në strukturat e tyre. Nevoja për të mbajtur kuota gjithashtu reflektohet me faktin se nëse analizojmë strukturat e partive politike dhe përfshirjen e grave në struktura të larta si në kryesi, si në degë, gjithashtu të jenë kryetare të partive, e shohim që është pothuajse minimal dhe i pakënaqshëm”, thotë ajo.

Sipas saj, të gjitha këto arsye e japin një pasqyrë që Kosova ende nuk e ka arritur një pjekuri në mesin e partive politike që gratë të kenë vendin e merituar si në struktura të partisë, ashtu edhe nëpër institucione të Kosovës.

Edhe analisti politik Rasim Alija, thotë, se përkundër rritjes së grave deputete që kanë arritur të marrin mandatin pa pasur nevojë për kuotë gjinore, kjo e fundit duhet të vazhdojë të përdoret deri në momentin kur partitë politike përfshijnë më shumë gra në listat zgjedhore.

Alija: Kuota të përdoret derisa të gjitha gratë të hyjnë pa pasur nevojë për të

“Kuota duhet të vazhdojë të paktën deri në momentin që subjektet politike të arrijnë të fusin më shumë gra në lista e tyre për deputete, e mbi të gjitha derisa elektorati të kuptojë, të vetëdijesohet që duhet t'i votojë edhe gratë e jo burrat. Si dhe që trendi i njëjtë i LVV-së që ka arritur pa kuotë të gjitha gratë të futen në Kuvendin e Republikës t'iu ndodh edhe subjekteve tjera. Kjo do të ishte një fillim i mbarë i demokratizimit të brendshëm të subjekteve politike, mbi të gjitha edhe trajtimit të barabartë të grave brenda subjektit politik. E them edhe një herë, po dëshmohet që pasja e forumit të gruas si pjesë e strukturës siç e kanë subjektet tjera politike nuk është garantues i përfaqësimit të barabartë të grave brenda subjektit politik, rrjedhimisht edhe në lista për kandidate për deputete. Pra, është modeli më i mirë i mundshëm e këtyre zgjedhjeve ka shpërfaqë LVV, që të gjitha gratë të kà «tij subjekti që kanë qenë në listë arrijnë të hyjnë pa kuotë”, shprehet ai.

Marrjen e mandatit të 26 deputeteve gra pa pasur nevojë për kuotë gjinore, Eugen Cakolli nga KDI e sheh si tregues të emancipimit të votuesve. Megjithatë, edhe Cakolli thotë se kuota duhet të vazhdojë të përdoret.

Cakolli: Do të duhej që kuota të mbetet ende

“Ky është një tregues mjaftë pozitiv që flet edhe për emancipimin e votuesve, mirëpo në vetvete flet edhe për rëndësinë e aplikimit të kuotës gjinore. Pra, një shoqëri përafërsisht me mendësi patriarkale ka arritur që të evoluojë deri në këtë masë sa numri i deputeteve të cilat e kanë fituar mandatin në saje të votave të  fituara dhe jo në saje të kuotës është duke shënuar rritje pothuajse në secilin proces zgjedhor. Kjo është tejet e rëndësishme meqenëse do të duhej që kuota të mbetet ende dhe madje do të duhej që partitë politike të avancojnë edhe më tutje dhe të aplikojnë modelin zebër, pra ku çdo i dyti kandidat në listë është i gjinisë së kundërt, që nënkupton që edhe listat më pastaj do të përktheheshin më shumë ulëse për gratë deputete në Kuvendin e Kosovës”, thotë ai.

Sipas tij, heqja e kuotës në këto rrethana në të cilat është Kosova do të ishte kthim mbrapa, pasi ende nuk është arritur kuota minimale për përfaqësim të 30 përqind të grave në Kuvend pa pasur nevojë për kuotë.

Cakolli: Heqja e kuotës gjinore në këto rrethana në të cilat jemi do të ishte kthim mbrapa për vendin

“Unë besoj që heqja e kuotës gjinore në këto rrethana në të cilat jemi do të ishte kthim mbrapa për vendin, për shkak se edhe pse ka zhvillime ende nuk është arritur kuota minimale për përfaqësim të 30 përqind të grave në Kuvend pa pasur nevojë për kuotë. Pra, është vetëm një subjekt politik nga subjektet e mëdha të cilat kanë fituar më shumë ulëse pa përfshirë këtu subjektet politike nga komunitetet jo shumicë, të cilat kanë fituar mandate apo ku gratë kanë fituar numrin e nevojshëm të votave pa pasur nevojë që të ketë kuotë gjinore. Ky element tregon që çështjet gjinore tashmë kanë avancuar krahasuar me periudhën paraprake, mirëpo që ende janë larg situatës së dëshiruar që do të donim të kishim, pra ku do të kishim përfaqësim të barabartë gjinor në Kuvendin e Kosovës, pra të kemi aq sa ka burra të ketë edhe deputete gra, që do të ishte një nga elementet më pozitive të zhvillimit në procesin z gjedhor në Kosovë”, shprehet ai.

Kujtojmë se partitë politike janë kritikuar që në listat zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit nuk kishin respektuar Ligjin për Barazi Gjinore për përfaqësim të barabartë 50 përqind. Të gjitha subjektet politike që kanë garuar në zgjedhje kishin përmbushur vetëm kuotën prej 30 përqind të përfaqësimit të grave në listat për kandidate për deputete, por jo Ligjin për Barazi Gjinore i cili kërkon përfaqësim 50 përqind për secilën gjini.

Partitë politike nuk kanë respektuar këtë ligj dhe në listat e tyre nuk kanë pasur më shumë se 34 gra të përfshira. Në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilës i prinë kandidatja për kryeministre Vjosa Osmani, ishin vetëm 33 gra.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës në listën e saj për kandidatët për deputet ka pasur 33 gra, e aq ka pasur edhe koalicioni në mes Nismës-AKR-PD. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni AAK-PSD në listat e tyre kanë pasur nga 34 gra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat