Ish-luftëtarët e ISIS-it probleme me integrimin në shoqëri - Bota Sot
Ish-luftëtarët e ISIS-it probleme me integrimin në shoqëri

Aktuale

Ish-luftëtarët e ISIS-it probleme me integrimin në shoqëri

Më: 10 nëntor 2019 Në ora: 13:09
Foto ilustrim

Dy nga shtatë të liruarit pas kryerjes së dënimit për pjesëmarrje në luftën e ISIS-it në Siri janë duke u përballur sërish me organet e drejtësisë.

Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës njëri prej tyre është kthyer në paraburgim si i dyshuar për “shtytje në kryerjen e veprave terroriste” dhe i njëjti me vendim të gjykatës ndodhet në arrest shtëpiak që pritet t’i përfundoj brenda muajit nëntor.

Top Channel mëson se personi në fjalë është Fitim Lladrovci nga Drenasi i cili në vitin 2015 u dënua me pesë vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e po në të njëjtin vit, Gjykata e Apelit ia uli dënimin me tre vjet e gjysmë. Burime të Top Channel brenda prokurorisë tregojnë se hetimet mbi rastin e Lladrovcit kanë përfunduar dhe brenda pak javësh pritet t’i ngritet edhe aktakuza. Ndërsa një personi tjetër tashmë i është ngritur aktakuzë dhe është në procedurë për shpalljen e vendimit gjyqësor. Lidhur me këtë Shërbimi Korrektues i cili ka pasur obligim rehabilitimin e tyre thotë se janë të bindur se kanë ndikuar që të dënuarit të rehabilitohen.

Shërbimi korrektues i Kosovës i ka trajtuar këta persona përmes punës sistematike dhe programeve me qëllim që bindjet e tyre të ndryshojnë. SHKK është e bindur se ka ndikuar përmes programeve që të dënuarit të rehabilitohen dhe të jenë pjesë e vlefshme e shoqërisë. Qëllimi jonë parësor mbetet që përmes programeve të ndryshme rehabilituese të burgosurit e kësaj kategorie të largohen nga ekstremizmi i dhunshëm dhe nga këto ideologji. Lidhur me rrezikun për shoqërinë mbetet të vlerësohet nga institucionet e tjera të sigurisë.

Nga Qendra Kosovare për Rehabilitimit e të Mbijetuarve të Dhunës, Alban Muriqi thotë se rehabilitimi i tyre brenda Shërbimi Korrektues nuk po arrihet mjaftueshëm pasi ata janë vendosur në një objekt të veçantë pa kontakt me të burgosurit e tjerë. Nga këta 7 të liruar, katër ishin të dënuar me nga tre vjet burgim, dy me nga një vit e gjashtë muaj dhe një i dënuar me një vit burgim.

Derisa edhe shtatë të tjerë janë ende duke vuajtur dënimin për pjesëmarrjen në luftën e të ashtuquajturit shtet islamik.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat