Partitë me borxhe në PZAP, vetëm PDK e paguan një pjesë

Aktuale

Partitë me borxhe në PZAP, vetëm PDK e paguan një pjesë

Më: 11 nëntor 2019 Në ora: 19:51
Ilustrim

Asnjëra parti nuk i ka paguar tërësisht gjobat që iu janë shqiptuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës dhe thyerje të heshtjes zgjedhore. Deri tani, borxhin kanë nisur ta shlyejnë vetëm Partia Demokratike e Kosovës,  Partia Liberale Egjiptiane dhe Partia Gora, derisa Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e kanë kthyer ende asnjë cent. Ndryshe, të gjitha partitë bashkë i kanë borxh PZAP’it rreth 345 mijë euro.

Shumica e subjekteve politike ua kanë parë sherrin pjesëmarrjes së fëmijëve në tubime gjatë fushatës zgjedhore e postimeve të sponsorizuara në zgjedhjet e fundit. Për gjobitjen e subjekteve për shkelje edhe këtë herë është kujdesur Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Vlera e gjobave që iu ka shqiptuar PZAP’i të gjitha subjekteve bashkë sillet rreth 360 mijë euro.

Këto gjoba janë shqiptuar për vendosje të posterave në hapësira publike, përdorim të fëmijëve në fushatë, presion ndaj votuesve, shfrytëzim të pozitës publike për përfitim të votave, përdorim të gjuhës së urrejtjes, vendosje të tavolinës dhe tendave me postera të kandidatëve e material propoganduese në rrugë publike.

Partia e cila është gjobitur më së shumti për shkelje gjatë fushatës zgjedhore është Partia Demokratike e Kosovës. Vlera e gjobës që i është shqiptuar këtij subjekti politik shkon në mbi 100 mijë euro.

Pas PDK’së, renditet koalicioni AAK-PSD, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Vlera e gjobës së koalicionit për shkelje i afrohet 90 mijë eurove, derisa LDK’së i është shqiptuar gjobë në vlerë 74 mijë e 400 euro.

Pa gjoba për shkelje të Kodit të Mirësjelljes dhe thyerje të heshtjes zgjedhore nuk kanë shpëtuar as Lista Serbe, koalicioni NISMA-AKR-PD e Lëvizja Vetëvendosje.

Lista Serbe është gjobitur me rreth 37 mijë euro, NISMA-AKR-PD me rreth 40 mijë euro, derisa VV’së i është shqiptuar gjobë në vlerë mbi 14 mijë euro.

Por, pavarësisht se kanë kaluar disa javë nga shqiptimi i këtyre gjobave, asnjëra prej subjekteve që garuan në zgjedhjet e gjashtë tetorit, nuk i ka paguar tërësisht gjobat që iu janë shqiptuar.

Kryesuesi i PZAP’it, Mulë Desku ka thënë se deri tani vetëm tri parti kanë filluar t’i paguajnë gjobat.

“Deri më tani kanë nisur dhe kanë paguar vetëm këto parti. Partia Demokratike e Kosovës – PDK ka paguar 11,900.00 euro, ndërsa ka papaguar 88,200.00 euro, Partia Liberale Egjiptiane – PLE ka paguar 1,100.00 euro, Partia Gora – PG, ka paguar 1,100.00 euro”, ka thënë Desku.

Sipas Deskut, partitë e tjera i kanë rreth 345 mijë euro borxh PZAP’it. Në mesin e partive që janë gjobitur gjatë fushatës e që nuk kanë filluar t’i paguajnë borxhet janë edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që morën më së shumti vota. Këto dy parti së bashku i kanë borxh PZAP’it rreth 90 mijë euro.

Zgjedhjet e 6 tetorit u zhvilluan në 38 komuna në 895 qendra të votimit me 2,547 vendvotime. Nga 25 subjekte politike garuan 1,067 kandidatë për deputetë. Në zgjedhje morën pjesë 44 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, derisa 29 persona u arrestuan për shkelje gjatë procesit zgjedhor.

Këto zgjedhje u vëzhguan nga rreth 30 mijë vëzhgues nga organizata vendore e ndërkombëtare. Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor u kujdesën Policia dhe Prokuroria e Shtetit, institucione këto me të cilat KQZ-ja bashkëpunon përherë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte certifikuar 25 subjekte politike për pjesëmarrje për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Mes tyre, 4 koalicione, 20 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur.

Subjektet politike që janë dënuar me gjoba dhe që nuk kanë paguar gjobat janë si në vijim:

Lidhja Demokratike e Kosovës                 =74,850.00 euro, Nuk ka paguar

Lëvizja Vetëvendosje                                  = 14,100.00 euro, Nuk ka paguar

Lista Serbe                                                    = 36,500.00 euro, Nuk ka paguar

Koalicioni AAK-PSD                                    = 89,600.00 euro, Nuk ka paguar

Koalicioni Nisma- AKR- PD                       = 33,900.00 euro, Nuk ka paguar

PREBK                                                           = 250.00 euro, Nuk ka paguar

IRDK                                                              = 1,200.00 euro, Nuk ka paguar

SLS                                                                 = 5,100.00 euro, Nuk ka paguar

VAKAT                                                          = 1,100.00 euro, Nuk ka paguar

KDTP                                                            = 1,100.00 euro, Nuk ka paguar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat