“Shengeni Ballkanik”, luftëtari i UÇK: Projekt improvizues, si përgjigje ndaj Francës

Aktuale

“Shengeni Ballkanik”, luftëtari i UÇK: Projekt improvizues, si përgjigje ndaj Francës

Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 16:23
Uk Lushi, Vucic, Zaev, Rama

Luftëtari i UÇK-së, analisti dhe lobisti në SHBA pranë komunitetit shqiptaro-amerikan, Uk Lushi në një intervistë për Ora News komentoi nismën për krijimin e “Minishengenit Ballkanit”.  

Lushi u shpreh se mënyra se si BE po sillet kohëve të fundit me vendet jashtë saj, nuk duhet të jetë arsye për improvizime projektesh të tjera. 

“Shengeni Ballkanik” sipas Lushit është përfitues vetëm për Serbinë.

Si e shihni këtë nismë dhe pse keni qenë kaq agresiv ndaj "Shengenit Ballkanik"?

Lushi: Një nismë që ka shumë emra, që nuk dihet se çfarë është qartësisht është një projekt më shumë si improvizim ashtu siç prezantohet nga Rama, Vuçiç dhe Zaev.  Dihet që BE kohëve të fundit, nuk është duke u sjellë konform situatës dhe vetë vlerave të BE-së përkundrejt Ballkanit. 

Por kjo nuk është arsye që vendet e Ballkanit të futen në një pështjellim, apo integrim provizues për vendet Evropiane. Dëgjova kryeministrin Edi Rama në një intervistë në Tiranë, ku tha se ka 5 vite që po punohet për këtë projekt. Nëse 5 vite punë kanë sjellë dy takime si ai i Novi Sadit dhe ai i Ohrit ky është një dështim kolosal. 

Koha që po prezantohet ky projekt është jashtëzakonisht e keqe. 

Një proces tjetër i rëndësishëm, që po zhvillohet për rajonin është ai që po zhvillohet mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë., për arritjen e ndonjë marrëveshjeje finale dhe që do ishte çelsi i ndonjë projekti të mundshëm për të cilin po flasim. Në këto rrethana ky projekt është përfitues edhe për Serbinë.

Për Lushin ky projekt është asgjë më shumë sesa një improvizim dhe përgjigje ndaj Francës, e cila i tha ‘JO’ Shqipërisë për negociatat.

A mund të kemi një mini-shengen pa Kosovën, pa u njohur pavarësia e saj nga Serbia? 

Lushi: Shtetet në BE pranohen si shtete, duke njohur sovranitetin e plotë të tyre dhe një nga kushtet është që vendet fqinje të mos kenë probleme me njëra-tjetrën. Si është e mundur të krijohet mini-shengeni nëse dy anëtare të saja, që po e kërkojnë edhe pranimin e Kosovës në këtë projekt kanë probleme që nuk janë zgjidhur. Pra si mund të shkohet në hapin e tretë pa e bërë ende hapin e dytë.

Problemi im që e kam me projektin të kryeministrit Rama është se nga çdo aspekt përpjekja e tij dhe turi që ka ndërmarrë, shihet që është improvizim. Ky improvizim është si përgjigje për reaksionin që ka ardhur nga Franca apo nga disa vende të tjera që unë mendoj se padrejtësisht, në krahasim me vendet e tjera e kanë futur Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në një pozitë të habitshme. Ka vende që janë pranuar në BE dhe e kanë nivelin e njëjtë në aspekte teknike si Shqipëria apo Maqedonia Veriore. Shqiptarët duhet t'i kthehen vetvetes. Nuk është nevoja që nëpërmjet improvizimeve të miklohet BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat