Pezullohen protestat kundër zhvendosjes së objektit të MKRS-së

Aktuale

Pezullohen protestat kundër zhvendosjes së objektit të MKRS-së

Më: 14 nëntor 2019 Në ora: 16:21
Pamjet nga protestat e mbajtura

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pas kërkesës zyrtare të parashtruar nga Këshilli Organizativ i Protestës, ka kërkuar nga Ministria e Administratës Publike për pezullimin e përkohshëm të zhvendosjes nga objekti aktual, kërkesë kjo që është pranuar nga MAP-i.

Zyrtarët e MKRS-së dhe të Bujqësisë kanë zhvilluar protesta për 7 ditë pune me radhë, me qëllim kundërshtimin e zhvendosjes së kësaj Ministrie nga objekti ku ndodhet aktualisht, përkatësisht vendosjen e së njëjtës në objekt me qira.

Në një komunikatë për media, MKRS njofton se mënyra e zhvendosjes është lënë në përgjegjësi të menaxhmentit të MKRS-së, pas së cilës Këshilli Protestues ka mirëpritur marrëveshjen e të dy ministrive, e cila krijon kushte dhe hapësirë për të analizuar edhe njëherë arsyet dhe efektet e zhvendosjes, të cilat mundësojnë një vendimmarrje shumë më të qëndrueshme dhe më të drejtë për të gjitha palët. 

Këshilli Protestues, për shkak të kësaj situate, njofton pezullimin e përkohshëm të protestave të përditshme dhe informon se do të vazhdojë të jetë funksional dhe i gatshëm për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjeve adekuate, të cilat nënkuptojnë rishqyrtimin e tërësishëm të planit për vendosjen dhe akomodimin e MKRS –së dhe institucioneve të Kosovës. 

Ndryshe, brenda vitit të ardhshëm pritet që Presidenca të kalojë në hapësirat e objektit ku gjenden Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Kulturës, teksa nga Ministria e Administratës Publike është thënë se kur të lirohet ndërtesa, ky dikaster do t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm për meremetim, i cili pritet të zgjasë rreth 12 muaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat