Zyrtarisht Forcës iu shtuan edhe 337 ushtarë të rinj

Aktuale

Zyrtarisht Forcës iu shtuan edhe 337 ushtarë të rinj

Më: 15 nëntor 2019 Në ora: 13:24
FSK

Rreshtave të Ushtrisë së Kosovës u janë bashkuar sot edhe 337 ushtarë të rinj të cilët kanë përfunduar me sukses trajnimin bazik në Qendrën e Stërvitjes Bazë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes. Ata sot dhanë betimin në hapësirat e Kazermës “Adem Jashari” në Prishtinë, para komandantit të Forcës për Sigurinë e Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama. Ky i fundit u kërkoi atyre të jenë të disiplinuar dhe të shërbejnë me integritet.

337 persona kryen një tranzicion nga jeta e tyre civile në atë ushtarake, duke e dhënë betimin që do të shërbejnë për shtetin e Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarët pa dallim.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama u tha rekrutëve të që duhet të ndjehen krenar pse zgjodhën të shërbejnë për vendin dhe qytetarët e Kosovës pa dallim.

Rama: Po e përmbyllim një vit të suksesshëm në procesin e tranzicioni

“Ne jemi të përkushtuar për paqe, siguri, stabilitet e bashkëpunim me të gjithë. Sot FSK ka kapacitetet e specializuara që mund të ndihmojë paqen, sigurinë kudo në botë krah për krah ushtarëve të NATO-s. Prandaj, rekrutë të nderuar, kërkoj nga ju të jeni ushtarë të disiplinuar, të zellshëm dhe me integritet, t’i kryeni detyrat e juaja, respektoni dhe drejtimin e udhëheqësve tuaj, vetëm në këtë mënyrë ju do t’i bëni nderë Forcës së Sigurisë së Kosovës, do t’i bëni krenarë secilin qytetar të republikës së Kosovës. Të nderuar të pranishëm, sot Forca e sigurisë së Kosovës po e përmbyll një vit të suksesshëm sa i përket procesit të tranzicionit. Fokusi kryesor ka qenë kompletimi i bazës ligjore, doktrinarë dhe konoceptuale të forcës, ne po punojmë ngusht me partnerët tanë strategjik që Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë moderne, e pajisur dhe trajnuar sipas standardeve të NATO-s”, tha Rama.

Ai tha se FSK është Forcë kredibile multi-etnike, e trajnuar dhe e pajisur me standardet e NATO-s.

Gjeneral Rama shtoi se Forca është transparente dhe e gatshme të koordinohet me gjithë partnerët vendor e ndërkombëtar.

Ndërsa, zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani tha se qëllimi i Forcës është të kontribuojë për paqe dhe siguri.

Ramadani: Tranzicioni i FSK-së është në rrugë të mbarë

“Të nderuar rekrutë të FSK-së, ju po bëheni pjesë e Forcës sonë në një etapë të rëndësishme për të ardhmen tonë të përbashkët, në kohën kur tranzicioni ushtarak i FSK-së është në rrugë të mbarë, kur Ministria e Mbrojtjes po konsolidohet dhe FSK po rritet e po forcohet”, tha ai.

Ai tha se interes nacional e kanë konsolidimin e plotë i shtetit të Kosovës, dhe rruga përpara është thellimi i partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe anëtarësimi në NATO.

Për arritje të lartë fizike, FSK sot ka shpërblyer rekrutët Fisnik Hyseni dhe Vijona Kryeziu.

Hyseni tregoi se trajnimi bazik në FSK ka qenë sfidues për të, por që me shumë angazhim ia kanë dalur të përfundoi me sukses atë.

Sot ai u rreshtua në Forcë dhe dha betimin bashkë me qindra rekrutë të tjerë.

Hyseni: Trajnimi bazik në FSK ka qenë sfidues

“Trajnimi bazik në FSK ka qenë mjaft sfidues por jo i pakalueshëm, ka pasur sfida të ndryshme të cilat me punë dhe përkushtim janë arritur falë instruktorëve përgjegjës të cilët na kanë ndihmuar shumë....Nga anëtarët e familjes sime uniformën e ka mbajtur gjyshi im Muharrem Hyseni për të cilin jam shumë krenar”, tha ai.

E për Vijona Kryeziun, shërbimi në Ushtrinë e Kosovës do të thotë nderë.

Kryeziu: Është nderë të jem pjesë e Ushtrisë së Kosovës

“Sot unë ndjehem mjaft e lumtur sepse jam pjesë e Ushtrisë së Kosovës. Për mua është nderë dhe privilegj që unë jam pjesëtare e re e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha ajo.

Gjithashtu sot, në këtë ceremoni, bazuar në rezultatet e treguara gjatë trajnimit bazë, me lëvdata për suksese të larta gjatë stërvitjes, u shpërblyen rekrutët: Bhera Gashi, Hashif Avdiu, Ardian Mziu, Dardan Krasniqi, Alfred Haziraj, Elviz Haxholli, Valdrin Selimi, Liridon Beka.

Ceremonia e betimit në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë u përcjell nga afër edhe prej familjarëve të qindra rekrutëve që iu bashkuan sot Forcës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat