Gent Cakaj në Paris: Refuzimi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, ishte gabim historik

Aktuale

Gent Cakaj në Paris: Refuzimi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, ishte gabim historik

Më: 15 nëntor 2019 Në ora: 13:30
Gent Cakaj

Ministri në Detyrë për Europë dhe Punë të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka bërë të ditur se do të kenë angazhim të vazhdueshëm për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO.

Cakaj në Paris në Konferencën e Përgjishme të Organizatës për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara, para të pranishmëve ka treguar edhe për fushatën dezinformuese të Serbisë ndaj Kosovës.

”Në diskutim nënvizuam domosdoshmërinë e patjetërsueshme të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në UNESCO! Denoncuam fushatën dezinformuese të Serbisë ndaj Kosovës dhe e bëmë të qartë edhe njëherë: Shqipëria do të vazhdojë punën e pakursyer për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO!”.

Ai në fjalën e tij tha se mosanëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë, ishte gabim historik.

”Fatkeqësisht është ende një shtet në Europë që nuk është ende pjesë e kësaj organizate dhe ai shtet është Republika e Kosovës. Refuzimi i anëtarësimit të Kosovës ishte një gabim historik”.

”Takimet tona do të ishin më të pasuruara dhe më të mira sikur edhe Kosova të ishte pjesë e UNESCO”.

”Edhe njëherë iu bëjmë thirrje të gjitha vendeve anëtare të UNESCO-s që të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”, është shprehur Ministri Cakaj.

Ndër tjera Cakaj ka shtuar nga Facebook, se para masës kanë diskutuar edhe për rëndësinë e edukimit dhe arritjet e Shqipërisë në këtë fushë.

”Në diskutim nënvizuam veçanërisht rëndësinë e edukimit dhe trashëgimisë kulturore e historike në zhvillimin e shoqërive të hapura dhe prosperuese. Theksuam përkushtimin e plotë dhe arritjet e pamohueshme të Shqipërisë në këtë drejtim!”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat